Gjykata u shqiptoi dënime me burg prej nëntë vite Bojan Jovanovskit dhe shtatë vite Katica Janevës pasi dje i shpalli fajtor për rastin “Reket”. Pas shpalljes së aktgjykimit pakënaqësinë nga dënimet e shqiptuara e shfaqën edhe mbrojtja edhe prokuroria, ndërsa paralajmëruan edhe ankesa.
Mbrojtja e Katica Janevës tha se janë të dëshpëruar nga aktgjykimi dhe dënimet të cilat i kishin dëgjuar dhe paralajmëroi se do të ankohen dhe do të dorëzojnë ankesë deri te gjykatat më të larta.
“Shpresojmë se gjykatat më të larta do të kenë sens më të madh për drejtësi, për sjelljen e vendimeve të cilat bazohen në dëshmi. Do të luftojmë deri në fund si mbrojtje edhe para gjykatave vendore dhe para të gjitha gjykatave ndërkombëtare”, deklaroi Fërçkovska.
Mbrojtja e Bojan Jovanovskit, avokati Sashko Dukovski, pas shpalljes tha se aktgjykimi ishte pritur që nga fillimi i këtij procesi gjyqësor.
“Ne e dinim që ky do të ishte një dënim brutal dhe ky aktgjykim bazohet më së paku në dëshmi. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj se në çfarë provash, por kjo është ajo. Lufta jonë nuk mbaron këtu”, deklaroi Dukovski.
Prokurorja publike Villma Ruskovska, gjithashtu, paralajmëroi ankesa për të dyja aktgjykimet, por pasi do ta marrë me shkrim aktgjykimin.
“Absolutisht, nuk jam e kënaqur me aktgjykimin për Bojan Jovanovskin, për të cilin vërtet nuk prisja më pak se dhjetë vjet burg. Sa për të dënuarën Katica Janeva, prisja në mes shtatë dhe tetë viteve burg”, deklaroi dje Ruskovska.
Në shpalljen e aktvendimit në sallën e madhe të Gjykatës Supreme në Shkup mori pjesë vetëm i akuzuari i parë Bojan Jovanovski – Boki-13, ndërsa e akuzuara e dytë Katica Janeva nuk erdhi në gjykatë dhe vendimin e dëgjoi në arrest shtëpiak, ku do të mbesë deri sa të hyjë në fuqi aktgjykimi, sepse gjykata e hodhi poshtë propozimin e prokurorisë që në zëvendësim të arrestit shtëpiak me paraburgim. Gjykata e pranoi propozimin e prokurorisë dhe Jovanovski mbetet në paraburgim.
Gjykata, Bojan Jovanovskin e shpalli fajtor për vepra të bërë penale – “marrje të shpërblimit për ndikim të kundërligjshëm” dhe për “pastrim parash” ndërsa Katica Janevën për “keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizim”.
Gjykatësja Nikollovska Masevska, gjatë shpalljes së aktvendimit të lëndës “Reket” tha se në dënim u llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
“E akuzuara Katica Janeva e ka pranuar ndikimin e Bojan Jovanovskit dhe e ka tejkaluar autorizimin e saj dhe për vete ka furnizuar dobi të konsiderueshme pronësore – mobilie dhe 50 mijë euro. Janeva, në nëntor të vitit 2018 ka propozuar masë paraburgimi për të akuzuarin Jordan Kamçev në lëndën ‘Perandoria’. Me ndikim të Bojan Jovanovskit më 24 dhjetor deri tek Gjykata e Apelit Shkup ka propozuar që masa e paraburgimit të zëvendësohet me masë të arrestit shtëpiak”, ka thënë gjykatësja në vendim.
Në elaborimin për aktvendimin kundër të dyshuarit Bojan Jovanovski, gjykatësja Masevska theksoi se i akuzuari me mjete të paligjshme ka blerë veshje luksoze nga brende të ndryshme botërore. Përveç dënimit me burg prej nëntë viteve, për Bojan Jovanovskin gjykata solli vendim t’i konfiskohen 12 mijë euro.
Gjykimi për lëndën “Reket” filloi në nëntor të vitit të kaluar. Aktakuza ishte ngritur kundër tre personave. Në seancën e parë për këtë rast i akuzuari Zoran Milevski – Kiçeec e pranoi fajin dhe në seancën e ardhshme gjyqësore ishte dënuar me tri vite burg. Dy të akuzuarit tjerë Jovanovski dhe Janeva, u deklaruan si të pafajshëm dhe kundër tyre udhëhiqet procedurë gjyqësore në të cilën ishin prezantuar një varg provash materiale dhe verbale nga ana e Prokurorisë.
Comments are closed for this post.