Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të Konferencës së Mynihut për Siguri, mëngjesin e sotëm kishte prezantim në paneli: “Një zbrazëti në zemër të Evropës? “Kthim në Ballkan”.
Sipas njoftimit të MPJ-së, diskutimet u fokusuan në riafirmimin e qasjes së Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor si një partner strategjik dhe i besueshëm për Evropën, ku Osmani iu referua përpjekjeve të Maqedonisë së Veriut për integrim në Bashkimin Evropian.
“Çdo dështim për të ruajtur trajektoren evropiane të Ballkanit Perëndimor mund të ketë pasoja dramatike për vendet e rajonit dhe BE-së, përfshirë në aspektin e sigurisë dhe migracionit. Vendet tona duhet të vazhdojnë të ecin para në aspekt të pajtimit dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve bilaterale, në frymë evropiane, si dhe për të forcuar reformat themelore, veçanërisht në aspektin e sundimit të ligjit, bazuar në metodologjinë e reviduar për aderim”, tha Osmani.
Në ngjarje të pranishëm ishin, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, Kosovës- Vjosa Osmani, Sekretari shtetërorë për Mbrojtjen e Mbretërisë së Bashkuar, Ben Vala, ministrat e punëve të jashtme të Kroacisë, Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, ambasadori i SHBA-së në NATO, Julian Smith, Përfaqësuesi Special i BE-së për Ballkanin Perëndimor Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi Special i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut përgjegjës për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach.
Comments are closed for this post.