MEPSO do të jetë nën Ministrinë, kurse EMV-ja nën Qeverinë ka deklaruar gjatë intervistës për Radion Evropa e Lirë, Ministrja për Energjetikë, Xehtari dhe Lëndë Minerale, Sanja Bozhinovska, duke pohuar se nën Ministrinë e njëjtë nuk mund të jenë prodhimi dhe distribuimi i rrymës.

“Punojmë rreth Ligjit të ri për energjetikë dhe me Ligjin e ri për energjetikë MEPSO do të jetë nën ombrellën e Ministrisë, për çka mendoj se është e natyrshme dhe normale. Me këtë duhet të kemi kujdes që SHA EMV të mbetet nën Qeverinë, MEPSO do të jetë nën Ministrinë për Energjetikë” – tha Bozhinovska.

-Pse EMV-ja të mbetet nën Qeverinë?

“Për shkak se nuk mund të jenë nën ministrinë e njëjtë edhe prodhimi edhe distribuimi. Kjo është konform rregullativave Evropiane”

EMV-ja shfuqizoi marrëveshjen për “Markovski Kompani”, e cila është nën hetime për tenderë të dyshimtë në REK Manastir, kurse arriti marrëveshje në “katër sy” me kompaninë e Ohrit “Ngrohtorja” – nënkontraktor i “Markovski Kompani” në tenderat.

E pyetur se VMRO-DPMNE-ja derisa ishte në opozitë ashpër kritikonte këtë mënyrë të marrëveshjeve, kurse tani në pushtet vazhdon me “avazin” e njëjtë, Ministrja Bozhinovska, thotë se nuk pajtohet me këtë praktike duke pohuar se për t`u bërë tenderi I ri duhet një periudhë e gjatë kohore.

“Jemi në periudhë të dimrit, ku furnizimi me energji elektrike është shumë kritike, u thirrën të pesë nënkontraktorët që ishin të kyçur në procesin paraprak, që do të thotë se s`ka marrëveshje vetëm me një operator ekonomik. Në fund ofruan vetëm dy operatorë ekonomik dhe u zgjodh ai që kishte çmim më të lirë për 15%” – tha ajo.

Ish zëvndëskryeministri Fatmir Bytyqi, gjatë një interviste për Radion Evropa e Lirë, kishte deklaruar se Ministria për Energjetikë do të jetë interesi partiak i VMRO-DPMNE-së. Bozhinovska nuk e ka komentuar këtë deklaratë duke pohuar se krijimi I Ministrisë së re për Energjetikë është përshëndetur nga komuniteti i biznesit, Odat Ekonomike, komuniteti energjetik nga Vjena dhe përfaqësues të BE-së.