Presidenti i SHBA-së Joe Biden refuzoi të tërhiqej nga komenti i tij se presidenti rus Vladimir Putin “nuk mund të qëndrojë në pushtet”, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti amerikan komentin e bëri gjatë një turneu katërditor në Evropë në një kohë kur Ukraina vazhdon të mbrohet nga sulmet ruse. Komentet e Biden-it kanë tërhequr kritika nga individë që thonë se Putini mund të përdorë deklarata të tilla si justifikim për përshkallëzimin e mëtejshëm në Ukrainë.
Megjithatë, Biden mbajti qëndrimin e tij dhe tha se komentet e tilla nuk janë tregues i politikës amerikane të ndryshimit të regjimit në Rusi, por një qëndrim personal i “zemërimit moral” për luftën e Putinit kundër Ukrainës.
“Unë nuk kërkoj falje”, u tha Biden gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar:
“Ajo që e ndërlikon situatën në këtë moment janë përpjekjet e përshkallëzuara të Putinit për të vazhduar masakrën, prandaj e gjithë bota po thotë: ‘Zoti im, çfarë po bën ky njeri?’”, tha presidenti amerikan.
Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar zemërim ndërkombëtar, ndërsa BE-ja, SHBA-ja dhe Britania e Madhe, ndër të tjera, kanë zbatuar sanksione të ashpra financiare ndaj Moskës.
Që nga fillimi i konfliktit, të paktën 1.151 civilë janë vrarë dhe 1.842 janë plagosur, sipas Kombeve të Bashkuara. Në të njëjtën kohë, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët, më shumë se 3,87 milionë ukrainas kanë ikur në vendet fqinje.
Comments are closed for this post.