Këshilli i Bashkisë së Shkupit në seancën e sotme ka sjellur vendim me të cilin ka konstatuar se koncesioner i ri i deponisë “Drislla” do të jetë “Scholz AG” nga Gjermania.

Konsorciumi i udhëhequr nga “Scholz AG” nga Gjermania është i përbërë nga po e njëjta kompani në bashkëpunim me kompaninë e Kroacisë “CIOS Doo” dhe kompaninë maqedonase “Splendor MAK”.

Këtë vendim Këshilli i Bashkisë së Shkupit e ka marrë pas aktgjykimit të Gjykatës së Lartë Administrative.

“Me këtë vendim mundësohet që t’i vihet fundi agonisë së qytetarëve të Shkupit me deponinë Drislla dhe krijohet mundësi për fillim të procedurës për investime dhe modernizim të po së njëjtës deponi, e cila në të ardhmen do të rritet në deponi moderne që do të mundësojë që bërlloku të përpunohet me standardet më të larta botërore”, thuhet në kumtesën e Bashkisë së Shkupit.