“Me gjithë sfidat nga shtrëngimi i kushteve financiare dhe zhvillimet globale, sistemi bankar ruan qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e tij. Për këtë kanë kontribuar politikat makroprudenciale të bankës qendrore”. Kjo theksohet në takimet e guvernatorit të Bankës Popullore, Anita Angelovska-Bejoska dhe zëvendësguvernatores, Ana Mitreska, me përfaqësues të lartë të Bankës Botërore, nënkryetaren Antonella Basani, drejtorin për Ballkanin Perëndimor Shaoqing Yu dhe drejtori ekzekutiv i zonës të cilës i përkasim, Kun Davidse.

“Banka Botërore po ashtu ofron asistencë teknike përmes disa projekteve për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të vendit dhe bankës qendrore, përmes përmirësimit të kuadrit makroprudencial, klimës,menaxhimin e ndryshimeve dhe kuadrin nënligjor për zgjidhjen e bankave, pasiqë ka vlerësuar pozitivisht politikat e Bankës Popullore për ruajtjen e stabilitetit financiar”.

Nga kabineti i guvernnatores së bankës Popullore informojnë se pas miratimit të Ligjit për Rezolutën e Bankës nga Kuvendi, Banka Popullore është në proces të hartimit të akteve nënligjore, me mbështetjen e Departamentit Këshillimor Financiar të Bankës Botërore. Banka Botërore ka ndihmuar Bankën Popullore në fushën e financave të gjelbra si dhe në përgatitjen e planit trevjeçar të miratuar së fundmi të aktiviteteve të Bankës Popullore në fushën e menaxhimit të rrezikut nga ndryshimet klimatike. Banka Popullore potencon se në periudhën e ardhshme do t’i përkushtohet përshtatjes së qasjes mbikëqyrëse, zhvillimit të një metodologjie për bankat që testojnë stresin nga aspekti i rreziqeve klimatike dhe kryerjes së analizave të thelluara të këtyre rreziqeve në sektorin bankar.

Me miratimin e Ligjit për Stabilitetin Financiar vitin e kaluar, nga këndvështrimi i politikës makroprudenciale, në vendin tonë u krijua një kornizë institucionale për politikën makroprudenciale dhe u rregullua ligjërisht roli i Komisionit të Stabilitetit Financiar, i cili përfshin të gjithë rregullatorët financiarë.

Nga kabineti i Guvernatores informojnë se Banka Botërore i ofroi ndihmë teknike Bankës Popullore në procesin e zhvillimit të Strategjisë për zbatimin e politikës makroprudenciale në Republikën e Maqedonisë, si dhe për forcimin e kornizës për monitorimin e rreziqeve sistemike.