VMRO-DPMNE është duke punuar për të formuar shumicë parlamentare, deklaroi sot zëdhënësi i partisë, Dimçe Arsovski, duke shtuar se ai “as nuk i konfirmon dhe as i mohon informacionet nga burime të pakonfirmuara dhe të paidentifikuara” që partia i ka ofruar qëndrimet me BDI-në për të formuar qeveri.

Mbrëmë u publikuan informata se VMRO-DPMNE dhe BDI janë para marrëveshjes për formim të Qeverisë me kryeministër shqiptarë. Sipas burimit, liderët e BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, Ali Ahmeti dhe Hristian Mickoski janë dakorduar se kryeministër i parë do të jetë Lazar Elenovski , i cili do të deklarohet edhe shqiptar edhe maqedonas. Në këtë mënyrë BDI do të ketë arsyetim se e ka realizuar kërkesën për kryeministër shqiptarë, ndërsa edhe anëtarësia e OBRM-PDUKM-së nuk do të ketë revoltë, sepse për Elenovskin do të jetë e qartë se ‘deklarimi që është shqiptar është vetëm për nevojat e politikës ditore’

Lidhur me informacionet e tilla Arsovski në konferencën e sotme për media tha se edhe LSDM-ja thotë se e ka shumicën, që sipas tij , nuk e konfirmojnë partitë e tjera politike/

“Do t’u drejtoja publikisht ta pyesni LSDM-në të publikojnë me cilat parti kanë formuar shumicë parlamentare, cilët janë partnerët e koalicionit të LSDM-së, të japin hollësi, sepse fjalët të cilat mund t’i shihnim mbrëmë nga ana e tyre në media, gjegjësisht nga burimet e tyre LSDM-ja e ka shumicën nuk janë të mjaftueshme për të formuar qeveri, por duhet 61 deputet të dakordohen për këtë”, theksoi Arsovski.

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së u bëri thirrje socialdemokratëve të përgjigjen me kë kanë formuar shumicë parlamentare dhe t’i kumtojnë hollësitë rreth marrëveshjes.