“Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzës, më 11 tetor, Ambasada e Suedisë në Shkup i bashkohet nismës globale #GirlsTakeOver, dhe si rezultat hap konkurs për pozitën e “Ambasadores për një  ditë”.

A jeni një vajzë e moshës 15 vjeç e më lart dhe jeni e interesuar të bëheni ambasadore e Suedisë për një ditë? A ju intereson dhe kujdeseni për barazinë gjinore, demokracinë, të drejtat e barabarta  dhe për mjedisin? Dëshironi të dini më shumë se si mund të bëni një ndryshim?

Nga ju pritet që të shoqëroni Ambasadoren gjatë gjithë ditës, të merrni pjesë në takime, të bashkëpunoni me stafin e Ambasadës dhe të merrni pjesë në aktivitetet e përgjithshme ditore të Ambasadës. Në fund të ditës së punës, pritet që të shkruani një raport të shkurtër mbi punën që keni bërë.

Orari i punës fillon në ora 8:30 të mëngjesit dhe do të përfundojë në orën 16:30.

Të gjitha kandidatet e interesuara duhet të dorëzojnë dokumentet në vijim:

Letër të shkurtër motivuese (maksimumi 250 fjalë) që shpjegon pse jeni të interesuara për këtë pozitë;

Një biografi të shkurtër që përshkruan atë që bëni, cilat janë interesat tuaja dhe çfar veprime keni ndërmarrë për të promovuar ose përmirësuar jetën e komunitetit në të cilin jetoni. Mund të jetë një aktivitet të cilin ju e keni filluar ose në të cilin keni marrë pjesë i cili promovon barazinë midis vajzave dhe djemve, siguron ndihmë për të moshuarit ose për personat në nevojë, promovon kujdesin për mjedisin etj.;

Dy letra rekomandimi (maksimumi 1-2 paragrafë) nga dikush që ju njeh mirë dhe mund t’ju ​​rekomandojë për këtë pozitë. Ky mund të jetë mësuesi ose tutori juaj, apo kushdo që ju njeh mirë dhe ju ka parë në veprim.

Pëlqimi me shkrim nga prindërit / kujdestarët tuaj ligjorë (për vajzat e moshës 15-18 vjeç).

Kandidatet e interesuara janë të ftuara të dërgojnë aplikimet e tyre jo më vonë se 25 tetor përmes postës elektronike në adresën: [email protected] me titull teme: Aplikim për konkursin #GirlsTakeOver për pozitën “Ambasadore për një ditë”.

Kandidatja e përzgjedhur do të njoftohet më së voni më 31 tetor dhe pritet që ajo të kryejë detyrat e saj gjatë muajit nëntor.

#GirlsTakeOver është një nismë globale, përmes së cilës vajzat në të gjithë botën zënë pozita të pushtetit me rastin e 11 tetorit, Ditës Ndërkombëtare të Vajzave. Ministria Suedeze e Punëve të Jashtme dhe shumë ambasada suedeze në të gjithë botën marrin pjesë në këtë nismë.