Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka qenë sot në Lezhë. Ai ka ndarë përmes Facebook-ut fjalën e tij dhënë në këtë qytet historik.

Kryetari i Vetëvendosjes, Kurti, ka bërë një leksion të gjatë në lidhje me Besëlidhjen e Lezhës duke lavdëruar Skënderbeun dhe prijësit e tjerë shqiptarë të asaj kohe.

Ai ka harruar të përmend që mes figurave historike ishte edhe Stefan Cërnojeviqi.

“Në fjalën e tij hyrëse, Skënderbeu, atëbotë, shtroi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit politik e ushtarak të shqiptarëve, ndërkaq pjesëmarrësit e tjerë diskutuan për rrugët dhe mundësitë e realizimit të këtij bashkëpunimi.” – ka shkruar Kurti.

“…ne duhet të mendojmë e të veprojmë duke menduar se si do të mendonin e vepronin nga Skënderbeu te rilindasit tanë dhe deri tek luftëtarët e dëshmorët në veçanti, të luftës së fundit në Kosovë.” – ka thënë po ashtu Kurti.

Sot ai deklaroi se Bashkimi Kombëtar ishte i pamundshëm për shkak të Kushtetutës së Kosovës.

Statusi i plotë:

Fjala ime sot në Lezhë

I dashuri Iliaz Shehu, aktivist i Lëvizjes dhe mik imi,

I nderuari Iliaz Shehu, kandidat për deputet nga Lezha e Besëlidhjes në Kuvendin e Republikës,

I nderuari Ziadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët,

I nderuari Shaip Kamberi, udhëheqës shqiptar në Pershevë, Medvegjë e Bujanoc dhe deputet në Kuvendin e atjeshëm,

I nderuari Nik Gjeloshaj, kryetar i Komunës së Tuzit,

Motra e vëllezër, zonja dhe zotërinj,

Aktivistë e të pranishëm të tjerë,

Kuvendi i Lezhës është i pari nga natyra e tij ku fisnikët dhe feudalët shqiptarë në shekullin XV në numër të madh dhe me shtrirje aq të gjerë gjeografike morën pjesë në një kuvend të përbashkët me qëllim të përbashkimit të tyre çlirimtar nga pushtuesit osmanë. Lezha kishte një pozitë të rëndësishme gjeografike dhe ishte nën zotërimin venecian, gjë që është interpretuar si ftesë e fisnikëve shqiptarë për bashkëpunim me venedikasit kundër osmanëve. Kuvendi u mbajt në Katedralën e Shën Kollit, e ku morën pjesë figura historike si: Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andre Topia, Komi, Muzaka, e Tanush Topia, Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Pjetër Spani, Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu, Lekë Dushmani, Stefan Gjurashi e të tjerë. Në fjalën e tij hyrëse, Skënderbeu, atëbotë, shtroi domosdoshmërinë dhe rëndësinë e bashkimit politik e ushtarak të shqiptarëve, ndërkaq pjesëmarrësit e tjerë diskutuan për rrugët dhe mundësitë e realizimit të këtij bashkëpunimi.

Kuvendi u institucionalizua si forumi politik më i lartë i vendimmarrësve, i fisnikëve shqiptarë, dhe mbahej herë pas here. Bashkimi u vendos të bëhej përmes një besëlidhjeje politike ndërmjet zotëruesve të tokave të lira e të papushtuara, e që u njoh si Besëlidhja Shqiptare e Lezhës. Kryetari i Besëlidhjes Shqiptare të Lezhës ishte Skënderbeu. Në Kuvendin e Besëlidhjes u miratua krijimi i një ushtrie të përbashkët shqiptare dhe Skënderbeu u caktua si komandant i përgjithshëm i saj. Ushtria formohej nga forcat e përhershme dhe ato të përkohshme. Forcat e përhershme ishin luftëtarët që fisnikët shqiptarë i dërgonin të luftonin së bashku me Skënderbeun, ndërkaq forcat e përkohshme thirreshin atëherë kur kishte luftime aktive me osmanët.

Besëlidhja kishte arkën e saj të përbashkët, në të cilën përpos që kontribuonin fisnikët, të hyrat qarkullonin edhe nga fitimet e kriporeve të Shën Kollit, që ishin në pronësi të Kastriotëve nga taksat doganore, nga tregtia e drithit dhe e metaleve. Përmes Besëlidhjes, fisnikët shqiptarë synonin ta ruanin mëvetësinë e tyre nga osmanët, ndërkaq ata udhëhiqnin me parimin se megjithëse Skënderbeu ishte kryetar i Besëlidhjes, asnjëri nuk kishte të drejtë të ndërhynte në zotërimet e tjetrit. Nga ky parim buron shprehja lidhur me këtë ngjarje historike ‘i pari ndër të parët’, në lidhjen e besës së Lezhës për fisnikët dhe trojet arbënore.

Sot, më 2 mars, teksa shënojmë përvjetorin e Besëlidhjes së Lezhës, të besëlidhjes që është akt politik, publik e kolektiv i besatimit, i lidhjes së dëshirës së përbashkët me veprimin e secilit, ne duhet të mendojmë e të veprojmë duke menduar se si do të mendonin e vepronin nga Skënderbeu te rilindasit tanë dhe deri tek luftëtarët e dëshmorët në veçanti, të luftës së fundit në Kosovë. Pra, duhet të ndjekim pishtarin që është bartur përgjatë historisë nga brezi në brez, ashtu që populli shqiptar kudo që është të faktorizohet, t’i nxjerrë përfaqësuesit e tij më të mirë e më të devotshëm, dhe, në këtë mënyrë, krizën e shumëfishtë që e ka pllakosur ta zëvendësojë me çlirim, me bashkim, me zhvillim e me përparim të gjithanshëm. Sot, këtu te flamuri kombëtar shqiptar dhe te Besëlidhja e Lezhës, i përulemi me nderim të përjetshëm dhe zotohemi për angazhim njashtu të përjetshëm, heroit tonë kombëtar Skënderbeut dhe të gjithë luftëtarëve shqiptarë në të gjithat epokat e kombit tonë.

Ju falemnderit.