Mjekët e NHS (Shërbimi Shëndetësor Kombëtar) janë paralajmëruar të kujdesen për një reagim të rrallë, por të rrezikshëm tek fëmijët, që mund të lidhet me infeksionin koronavirus.

Kjo përfshin “inflamacionin shumë-sistemor” me simptoma të ngjashme me gripin.

Disa, por jo të gjithë, testuan pozitivë me koronavirus.

Është e paqartë se sa fëmijë janë diagnostikuar me sindromën e re, megjithëse numrat do të jenë të ulët.

Paralajmërimi tha se ekzistonte “një shqetësim në rritje” se një sindromë inflamatore e lidhur me koronavirusin po shfaqet tek fëmijët në Britani të Madhe ose se mund të ketë një tjetër infeksion, ende të paidentifikuar, të lidhur me këto raste.

Këta pacientë të rinj të moshave të ndryshme ishin jashtëzakonisht të sëmurë. Ata kishin karakteristika të ngjashme me sindromën e shokut toksik, i cili mund të përfshijë një temperaturë të lartë, presion të ulët të gjakut, skuqje dhe vështirësi në frymëmarrje.

Disa gjithashtu kishin dhimbje barku, të vjella ose diarre dhe inflamacion të zemrës, si dhe rezultate anormale të testit të gjakut.

Ekspertët thonë se këto janë shenjat që mund të shihni kur trupi përpiqet të luftojë një infeksion.

Paralajmërimi, i cili tani është ndarë më gjerësisht, këshillon që këto raste kanë nevojë për trajtim urgjent.

Por ekspertët theksojnë se shumë pak fëmijë sëmuren rëndë me koronavirus. Provat nga e gjithë bota sugjerojnë se ata janë popullata më pak e prekur nga sëmundja.

Kolegji Mbretëror i Pediatrisë dhe Shëndetit të Fëmijëve tha se nëse prindërit shqetësohen për shëndetin e fëmijëve për ndonjë arsye, duhet të kërkojnë ndihmë nga një profesionist i shëndetit.