Kohëve të fundit është rritur “trendi” i injektimit intravenoz të vitaminave, përkatësisht infuzioneve të tyre. Mirëpo cili është rreziku dhe a kanë efekt këto vitamina?

Muajin e kaluar një grua 51- vjeçare nga një qytet i Kinës, gati vdiq pasi i bluajti 20 fruta të ndryshëm për të krijuar një infuzion intravenoz të bërë në shtëpi. Ajo e kishte bërë këtë me mendimin që kjo do t’i bënte mirë për shëndetin, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Në vend të kësaj ajo zhvilloi dhimbje dhe ethe, dhe u dërgua në kujdes intensiv me një dëmtim të shumëfishte të organeve. Pas dializës ajo u trajtua me antibiotikë dhe tani është duke e marrë veten.

Kjo praktikë e infuzioneve të vitaminave është përhapur sidomos në disa vende të Azisë, që jepet në sallone të bukurisë të pa licencuara dhe të pakualifikuara. Këto vitamina intravenoze thuhet se e rrisin energjinë, fuqinë, përmirësojnë sistemin imun, lëkurën, djegin yndyrën dhe kurojnë disa probleme të tjera.

“Sipas profesionistëve mjekësore nuk duhet të përdoret asnjë lloj infuzioni intravenoz, përderisa nuk ka asnjë justifikim mjekësor të tyre”, tha Sophie Medlin, e cila punon në një klinikë dietale në Londër.

Një nga rreziqet nga ky injektim i vitaminave me anë të infuzioneve është marrja e ndonjë infeksioni që mund të përfundojë me rreziqe të larta. Personat që kanë nevojë për suplemente artificiale të vitaminave janë:

-Të gjitha gratë shtatzëna dhe gratë që janë duke ushqyer foshnjat me gji

-Personat mbi moshën 65- vjeçare

-Personat me lëkurë më të mbyllur dhe njerëzit që nuk i ekspozohen mjaftueshëm diellit

-Të gjithë fëmijët prej 6 muajve deri në moshën 5 vjeçare

Personat e tjerë mund të përdorin suplemente të vitaminave, vetëm në rastet kur mjeku i tyre e sheh të nevojshme dhe ua rekomandon.