Kuvendi e konstatoi dorëheqjen e Ilire Dautit nga funksioni i kryetares së Komisionit kuvendor për politikë sociale, demografi dhe rini, pasi që sot ajo kërkoi në kuadër të mbledhjes së 30-të ta arsyetojë dorëheqjen e saj të parevokueshme pas votimit të inteprelancës së saj të premten e kaluar.

Para se ta arsyetojë dorëheqjen, deputetët e VMRO-DPMNE-së dhe ZNAM e braktisën sallën e Kuvendit.

Dauti, duke e arsyetuar dorëheqjen, theksoi se ai është kulmi i turpit që ndodhi në Kuvend.

“Nëse do të jetonim në një shtet normal, atëherë kjo mbledhje nuk do të zhvillohej dhe unë nuk do të kisha nevojë të marrë fjalën. Ky është kulmi i turpit që ndodhi në Kuvend dhe është kanosje e drejtpërdrejtë ndaj një të zgjedhuri të popullit, si dhe mbajtje nën kontroll të të njejtit. Veprimi im për vendosjen e Ligjit për mbrojtësit është në bazë të të nenit 3, i cili nënkupton kushte shtesë se si të veprojnë institucionet.

Nuk do të pranoj kushte të ndryshme të veprimit jashtë Rregullores. Zgjedh të veproj lirshëm, pa kushtëzime dhe t’i mbroj vlerat e demorkacisë dhe lirisë. Ashtu veprova edhe kur e sollëm Ligjin për shtetësi, kur duke i shfrytëzuar të gjithë mekanizmat, e zhbllokuam dhe e sollëm ligjin”, tha Dauti.

Theksoi se edhe për Ligjin për mbrojtësit i ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë në pajtim me Rregulloren me qëllim që të ngritet niveli i debatit lidhur me nevojën për trajtim të palëve nga konflikti i vitit 2001 në mënyrë të barabartë.