Irani do të zhvillojë bisedime me tre shtete europiane më 29 nëntor lidhur me programin e saj bërthamor, njoftoi Ministria e Jashtme e Iranit të premten. Njoftimi erdhi disa ditë pasi Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Energjinë Bërthamore, miratoi një rezolutë kundër Iranit.
Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo, e cila njoftoi e para se bisedimet do të mbaheshin të premten në Gjenevë, tha se qeveria iraniane e Presidentit Masoud Pezeshkian kërkon një zgjidhje mbi ngërçin bërthamor përpara se të marrë detyrën Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, më 20 janar.
Një zyrtar i lartë iranian konfirmoi takimin që do të mbahet të premten dhe shtoi se “Teherani përherë ka besuar se çështja bërthamore duhet zgjidhur në rrugë diplomatike”. Ai tha se Irani nuk është larguar asnjëherë nga bisedimet.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha më vonë se zëvendësministrat e jashtëm të Iranit, Francës, Gjermanisë dhe Birtanisë do të marrin pjesë në bisedimet që sipas tij do të përfshijnë çështje të sigurisë rajonale dhe bërthamore.
Comments are closed for this post.