Është anuluar sërish rigjykimi për Spitalin Modular. Në 26 qershor anulimi ndodhi për shkak të mungesës së përfaqësuesit të Spitalit të Tetovës, ndërsa sot për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të njërit prej dy të akuzuarve. Gjykimi pritet të zhvillohet më 5 nëntor. Shtyrja e re shkaktoi reagimin e familjarëve. Ata thonë se drejtësia po vonohet qëllimisht.

“Rigjykimi filloi dhe mbaroi, sepse avokati i Artan Etemit qenka i sëmurë dhe u caktua për në muajin e 11. Ne s’jemi të kënaqur me këtë gjykim sepse bëhen skena palidhje që si ka hije shtetit, sepse humbën jetët 14 persona. E presim a do ketë diçka apo jo në muajin e 11. Ne e kemi përmend në secilën seancë se në këtë akuzë duhet të jetë një zinxhir më i madh i të akuzuarve”, deklaroi Mumin Ismaili, familjar i viktimës.

Për dallim nga akuza e parë të cilën e ktheu gjykata e Apelit në Gostivar, rigjykimi nuk përfshin mjekun Boban Vuçevski, i cili ishte përgjegjës i qendrës së Kovidit në Tetovë. Rigjykimi do të vazhdojë me dy persona fizik, ish drejtorin Florin Besimi dhe ish drejtorin ekonomik Artan Etemmi, si dhe Spitali klinik i Tetovës. Gjykata e Apelit në Gostivar në maj ktheu lëndën për rigjykim me arsyetimin se aktgjykimi i parë ka qenë i paqartë dhe se gjykata e Tetovës, nuk ka vepruar me kujdesin e duhur si dhe është i papërshtatshëm për shqyrtim. Në zjarrin që përfshiu Spitalin modular të Tetovës, në shtator të vitit 2021, humbën jetën 14 persona, nga të cilët dy persona ishin familjarë të cilët kujdeseshin për të sëmurët.