Ministria palestineze e Shëndetësisë njoftoi të martën vonë se një dërgesë e re e vaksinave kundër poliomielitit në total 350.000 doza kishte mbërritur në Gaza.
Dërgesa e re erdhi ndërsa fushata e vaksinimit në enklavë vazhdoi mes një lufte shkatërruese izraelite.
“350.000 doza shtesë të vaksinave kundër poliomielitit mbërritën në Rripin e Gazës të martën në mbrëmje dhe janë ruajtur në frigoriferë në magazinat e Ministrisë së Shëndetësisë në Deir al-Balah”, tha në një deklaratë ministri palestinez i Shëndetësisë Majed Abu Ramadan.
Ai tha se këto masa janë koordinuar me Fondin e OKB-së për Fëmijët (UNICEF).
Ai shtoi se me ardhjen e “dëgesës së dytë të vaksinave në Gaza, numri i përgjithshëm i dozave të marra nga Rripi tani është rreth 1,6 milionë, të mjaftueshme për të vaksinuar të gjithë fëmijët nga lindja deri në moshën 10 vjeç me dy doza të vaksinës”.
Më herët të martën, ministria e Shëndetësisë së Gazës njoftoi vazhdimin e fushatës së vaksinimit në ditën e tretë të saj, duke konfirmuar se rreth 159.000 fëmijë u vaksinuan në ditën e dytë të fushatës në Gazën qendrore.
Më 25 gusht, ministria e Shëndetësisë palestineze njoftoi mbërritjen e grupit të parë të vaksinave, në total 1,26 milionë doza.
Fushata fokusohet në Gazën qendrore nga 1 deri më 4 shtator, e ndjekur nga Khan Younis nga 5 deri më 9 shtator dhe do të përfundojë në qytetin e Gazës dhe rajonet veriore nga 9 deri më 12 shtator, sipas burimeve zyrtare.
Urgjenca e fushatës u nënvizua nga konfirmimi i rastit të parë të poliomielitit në Gaza në 25 vjet në një fëmijë 10 muajsh muajin e kaluar.
Më 16 gusht, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres bëri thirrje për një armëpushim humanitar shtatë-ditor për të lejuar vaksinimin e 640,000 fëmijëve, një kërkesë që u mbështet nga agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA).
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Gaza pas një sulmi më 7 tetor të vitit të kaluar nga grupi palestinez Hamas, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që bën thirrje për një armëpushim të menjëhershëm.
Sulmi ka rezultuar në më shumë se 40.800 vdekje palestineze, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe rreth 94,300 lëndime, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Një bllokadë e vazhdueshme e Gazës ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, duke lënë pjesën më të madhe të rajonit në gërmadha. Izraeli përballet me akuzat për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka urdhëruar ndalimin e operacioneve ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah, ku më shumë se 1 milion palestinezë kishin kërkuar strehim përpara se zona të pushtohej më 6 maj.
Comments are closed for this post.