Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka reaguar të martën për mbylljen e nëntë degëve të Postës së Serbisë në pjesën veriore të Kosovës, duke e cilësuar përpjekje të kreut të ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, për të kapitalizuar situatën në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë.
“Qeveria e Kosovës mbylli zyrat postare në veri për një arsye dhe vetëm një arsye: zgjedhjet e ardhshme nacionale. Pretendimi që Kurti mbron sovranitetin [e Kosovës] është qesharake. Sovraniteti i Kosovës mbrohet përmes progresit në anëtarësimin në NATO”, ka shkruar ish-kryediplomati.
Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara (SHBA) kanë shprehur drojën për mbylljen nga Policia e Kosovës të nëntë degëve të Postës së Serbisë në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke vlerësuar ndër të tjera se “veprimet e pakoordinuara” dhe “veprimet e njëanshme” rrezikojnë t’i përshkallëzojnë tensionet ekzistuese mes Kosovës e Serbisë.
Ndryshe, përkundër se situata e përgjithshme në pjesën veriore të Kosovës është më e qetë pas ngjarjeve të vitit të kaluar, akoma perceptohet tensioni – tension për shkak të numrit të madh të çështjeve të pazgjidhura në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmejt Kosovës e Serbisë.
Comments are closed for this post.