Më shumë se 25 poetë të huaj dhe një numër i madh i poetëve nga vendi do të marrin pjesë në edicionin e 63-të të manifestimit ndërkombëtar poetik “Mbrëmjet strugane të poezisë” që nga 22 deri më 26 gusht do të mbahet me moton “Prekja e bukurisë”.
Sipas traditës zjarri i festivalit do të ndizet në hapjen solemne para Qendrës së kulturës “Vëllezërit Milladinovci”, i njohur si Shtëpia e kulturës, ndërsa festivali do të mbyllet me leximin tradicional “Meridiane” në Urën e poezisë, kur do të dorëzohen edhe çmimet “Kurora e artë”, “Vëllezërit Milladinovci”, “Urat e Strugës” dhe “Struga e Re”.
Me moton e edicionit të sivjetshëm të festivalit “Prekja e bukurisë”, siç theksoi në konferencën e sotme për shtyp, drejtori i institucionit kombëtar “Mbrëmjet strugane të poezisë”, Todorçe Tasevski, qëllimi është që t’i jepet respekt Alfabetit Braj, i cili mundëson që personat e verbër ta ndjejnë bukurinë e poezisë.
Tasevski duke e prezantuar programin e sivjetshëm, ai theksoi se portreti poetik i laureatit të sivjetshëm të “Kurorës së artë”, poeti i njohur francez Zhan Pjer Simeon do të jetë më 24 gusht, tradicionalisht në katedralen “Shën Sofje” në Ohër.
Qyteti i poezisë për herë të 63-të, në javën e fundit të gushtit, do të pulsojë në frymën e fjalës së shkruar, ku poetë nga vendi dhe bota do të lexojnë poezi në gjuhët e tyre.
“Mbrëmjet strugane të poezisë” ruajnë vazhdimësinë e festivalit, i cili që nga viti 1961 ka demonstruar fuqinë e poezisë për të bashkuar botën.
Comments are closed for this post.