Fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 fillon të shtunën, aty ku gara u ndal në vitin 2020. Ose më saktë, aty ku nuk përfundoi ndonjëherë.
Presidenti Joe Biden dhe kandidati republikan për president Donald Trump do të bëjnë fushatë në Xhorxhia. Dy kandidatët kanë akuzuar njëri-tjetrin prej javësh se përbëjnë rrezik për demokracinë, por të shtunën, për herë të parë këtë vit, ata do të ndodhen njëkohësisht në këtë shtet të rëndësishëm për betejën zgjedhore.
Ndoshta nuk mund të ketë një shtet tjetër ku do të ketë konkurencë më të fortë se sa në Xhorxhia për zgjedhjet e përgjithshme të 5 nëntorit. Xhorxhia favorizoi zotin Biden në zgjedhjet e vitit 2020 dhe ishte në qendër të pretendimeve të pavërtetuara të zotit Trump se pati manipulime të gjera. Ai përballet me akuza penale në këtë shtet për përpjekjet për të ndërhyrë në procesin e numërimit të votave.
Zoti Trump pritet të sigurojë emërimin si kandidat zyrtar i partisë së tij të martën, kur Xhorxhia, së bashku me Havajin, Misisipin dhe Uashingtonin do të mbajnë zgjedhjet e tyre paraprake.
Të enjten, Presidenti Biden mbajti në Kongres fjalimin për gjendjen e vendit, ku kritikoi gjerësisht ish Presidentin Trump, duke e akuzuar atë se po rrezikon demokracinë, se po sillet me servilizëm ndaj Rusisë dhe se po saboton reformën dypartiake për emigracionin.
Sidoqoftë, Presidenti Biden vazhdon të përballet me reagime kundër nga radhët e demokratëve për mbështetjen e vendosur që i dha Izraelit në luftën kundër Hamasit në Gazë. Kjo pakënaqësi mund të reflektohet tek votimet në Xhorxhia të martën.
Një sërë grupesh në Xhorxhia kanë filluar një fushatë përmes së cilës u bëjnë thirrje votuesve që t’i hedhin fletëvotimet bosh të martën, në vend që të votojnë për zotin Biden, duke shpresuar se mund t’i dërgojnë kështu një mesazh Shtëpisë së Bardhë që të rishikojë mbështetjen e saj për Izraelin.
Ish Presidenti Trump mban të shtunën në mbrëmje një tubim në qytetin Rome, të Xhorxhias, një bastion konservator në këtë shtet, në zemër të distriktit të ligjvënëses republikane Marjorie Taylor Greene, një aleate e vendosur e ish Presidentit Trump.
Presidenti Biden do të ketë një aktivitet në mbrëmje në zonën e Atlantas, në Xhorxhia, ku pjesët urbane që po zgjerohen me shpejtësi, shihen si një element thelbësor për shpresat e demokratëve në këtë shtet.
Comments are closed for this post.