Konferenca e parë mbi ecurinë në çështjen gjyqësore ndaj Haxhi Shalës, është mbajtur sot. Në këtë seancë, komandant Topi është pyetur që të deklarohet fajtor ose i pafajshëm në pikat e aktakuzës.

Shala u deklarua i pafajshëm në të tri pikat e aktakuzës, raporton Klankosova.tv. Ish-komandant Topi po akuzohet për pengim në administrim të drejtësisë.

Tri pikat e aktakuzës ndaj tij janë: Pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes kërcënimit serioz, Pengimi i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare duke marrë pjesë në aksionin e përbashkët të një grupi, dhe Frikësimi gjatë procedurës penale.

Sipas Aktakuzës së Konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të Januzi dhe Bahtijari me dëshmitarin 1.

Thuhet gjithashtu se, me udhëzim të Shalës, Januzit dhe Bahtijarit u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.

Sipas Aktakuzës, “kjo sjellje tregon se z. Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare”.