Këshilli Evropian ka vendosur të hapë negociatat e pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel në një postim në rrjetin social X tha se Gjerogjia ka marrë statusin e vendit kandidat.
Ai shtoi se BE-ja do të hapë negociatat me Bosnje dhe Hercegovinën sapo të arrihen kriteret e anëtarësimit dhe ka ftuar komisionin të raportojë deri në mars me synimin për të marrë një vendim të tillë.
Ky vendim vjen, pas zhvillimit në Bruksel të samitit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.
Komisioni Evropian raportoi muajin e kaluar se Ukraina, e cila është në luftë me Rusinë që prej 24 shkurtit të vitit 2022, kishte përmbushur katër nga shtatë rekomandimet e saj, duke përfshirë goditjen kundër korrupsionit, përgatitjen e gjyqësorit për një rishikim të madh dhe përafrimin e legjislacionit të medias me standardet e BE-së.
Komisioni, i cili sugjeroi që tre kushtet e mbetura të plotësoheshin përpara fillimit zyrtar të bisedimeve, tha se do të vlerësonte përsëri përparimin e Ukrainës marsin e ardhshëm. Por përmbushja e këtyre detyrave është vetëm një pjesë e ndryshimeve gjithëpërfshirëse të politikës që BE i ka rekomanduar Ukrainës të bëjë në një sërë sektorësh deri në fund të vitit 2024.
Comments are closed for this post.