Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur kompanitë fituese për fazën 3 dhe 4 për aksin rrugor Elbasan – Qafë Thanë, që është pjesë e korridorit 8. Për lotin 3 të rrugës punimet do të zbatohet nga kompania 2 T, që është përzgjedhur me një ofertë prej 2.11 mld lekë, nga 2.5 mld lekë që ishte fondi limit i vënë në dispozicion.
Ndërkohë që, për lotin 4 fituese është shpallur kompania A.N.K me një ofertë prej 2.08 mld lekë, teksa fondi limit edhe për këtë segment ishte 2.5 mld lekë. Së bashku me këto procedura, ARRSH ka përmbyllur tenderët për 4 lote të këtij aksi rrugor, ku për lotet 1 dhe 2 tashmë kanë nisur punimet.
Në fazë më pak të avancuar për këtë segment është pjesa nga Bushtrica deri në pikën e re doganore me Maqedoninë që aktualisht është në fazë projektimi.
Fituesi i tenderit u shpall pak javë më parë, ndërkohë që projekti i zbatimit do të jetë gati pas më shumë se 18 muajsh. Vetëm pasi ai të jetë gati do të mund të kryhen procedurat tenderuese për ndërtimin e tij.
Paralelisht është duke u projektuar bypassi i Elbasanit, që sipas afateve kontraktuale duhet të jetë gati në vitin 2024. Ndërsa për pjesën tjetër të korridorit 8, që është segmenti nga Lekaj në Elbasan, që aktualisht është në fazë tenderimi për projektimin e tij.
Koridori 8 nis nga portet italiane të Barit dhe Brindizit, në portet e Durrësit e Vlorës dhe më pas vazhdon drejt Elbasanit, Shkupit dhe në Detin e Zi.
Comments are closed for this post.