Në mbledhjen e Ambasadorëve të 27 shteteve anëtare të BE-së e mbajtur këtë të Mërkurë në Bruksel Greqia me anë të një deklarate me shkrim vendosi zyrtarisht si kusht ndaj Shqipërisë për negociatat me BE-në në lejimin e betimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës Fredi Beleri.
Ky qëndrim i është dërguar tashmë edhe qeverisë shqiptare të cilës i bëhet e qartë se çështja “Beleri”, konsiderohet si provë e shkeljes së kushteve që duhet të plotësojë Shqipëria si shtet kandidat për anëtarësim në BE në respektimin e parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe prezumimin e pafajësisë. Sipas autoriteteve greke, çështja e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës nuk është dypalëshe, por është thellësisht evropiane pasi ka të bëjë me respektimin e shtetit ligjor nga ana e autoriteteve shqiptare.
Pak javë më parë Athina kishte bllokuar letrën që i adresohej liderëve evropianë që në mbledhjen e Këshillit Evropian me 14-15 Dhjetor, Shqipërisë t’i jepej drita jeshile për nisjen e shqyrtimit të 5 kapitujve të parë të negociatave për çështjet themelore.
Pas kësaj Athina u gjend nën presion shumë të fortë si nga Gjermania, ashtu edhe nga Presidenca spanjolle për të ndryshuar qëndrimin e saj, por diplomacia greke këmbënguli deri në fund në vendosjen si kusht lejimin nga autoritetet shqiptare të betimit të Belerit si kryebashkiak i zgjedhur i Himarës.
Mundësia e fundit për këtë është data 4 Dhjetor, kur Gjykata Speciale do të shqyrtojë edhe një herë kërkesën e Fredi Belerit për dhënien e një leje të posaçme për të bërë betimin si kryetar i Bashkisë Himarë para anëtarëve të këshillit bashkiak. Kjo kërkesë është refuzuar deri tani nga autoritetet gjyqësore shqiptare.
Qëndrimi hezitues i palës greke ka zemëruar në veçanti Berlinin pasi diplomatët gjermanë kishin arritur ndërkohë në një propozim kompromisi me Bullgarinë për të dhënë pëlqimin për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut. Berlini sipas burimeve tona në Bruksel e ka këshilluar palën greke që të shohë mundësinë e “bllokimit të negociatave me Shqipërinë në fazën tjetër të procesit të negociatave pasi për momentin kemi të bëjmë me një procedurë kryesisht të nivelit teknik.”
Këshilli Evropian duhet të vendose pro ose të shtyjë vendimarrjen për negociatat me Shqipërinë në mbledhjen e 14-15 Dhjetorit. Objektivi i Komisionit Evropian është që kjo të ndodhë deri në fund të vitit, por për mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare duhet konsensusi unanim i liderëve evropianë mes tyre edhe vota e Kyrjakos Mitsotakis. Shqipëria përfundoi me sukses të premten e kaluar pas 14 muajsh konsultimesh fazën e parë të screening-ut procesi i shqyrtimit të legjislacionit të saj.
Comments are closed for this post.