Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka folur për procesin e dialogut Kosovë – Serbi dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri më tash mes dy palëve.

Hovenier ka thënë se marrëveshja bazë mes dy vendeve nuk po zbatohet. Sipas tij, i Dërguar i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak bashkë me ekipin e tij po punojnë për të arritur një mirëkuptim të përbashkët për zbatimin e marrëveshjeve.

“Sa i përket pyetjes suaj se a po zbatohet plotësisht, mendoj se përgjigja është jo, jo ende, por po ashtu e di që po vazhdon puna përkitazi me përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak dhe ekipin e tij, për tu përpjekur për të ardhur deri te një mirëkuptim i përbashkët rreth mënyrës më të mirë për të zbatuar këto marrëveshje. Por, të mos ketë asnjë gabim, ajo që Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shohin, presin të shohin është zbatim i plotë dhe i tërësishëm nga të dy palët të të gjitha detyrimeve sipas marrëveshjes bazë dhe aneksit të zbatimit”, u shpreh ai.