Kryetarët e partive opozitare shqiptare të koalicionit Lidhja Evropiane për Ndryshim zhvilluan sot një takim me ambasadorin e BE-së në Shkup, David Geer.
“Duam që ta informojmë opinionin e gjërë, që ne liderët e Lidhjes Europiane për Ndryshim, sot realizuam takim me Ambasadorin e BE-së, SH.t. David Geer. Në këtë takim riafirmuam vendosmërinë për rrugën tonë drejt Bashkimit Europian dhe informuam për të gjitha angazhimet tona në këtë drejtim. Ndër të tjera, diskutuam edhe për zhvillimet aktuale në vend, pengesat dhe sfidat që po distancojnë vendin nga procesi i integrimit, të ngjashme si ato me konstatimet e Komisionit Europian, lidhur me paaftësinë e kësaj qeverie për të bërë progres, të cilat janë po aq shqetësuese për neve si opozitë sa edhe për qytetarët e vendit. Në fakt, një raport i tillë e vulos nevojën e bashkëpunimit tonë, duke i dhënë kuptim dhe drejtim më të qartë këtij koalicioni, për të mbrojtur interesin strategjik të vendit, i cili ka ngecur për fajin e kësaj qeverisje të delegjitimuar dhe të korruptuar”, thuhet në njoftimin e partive opozitare.
Më tej siç nënvizohet, ambasadori i BE-së është informuar edhe për kandidatin e tyre për anëtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor.
“Theksuam faktin që mungesa e një anëtari të opozitës shqiptare në KSHZ, është në kundërshti me vlerat dhe standardet europiane, sepse një veprim i tillë le për të kuptuar se procesi dhe rezultati zgjedhor ka tendencë për t’u manipuluar dhe, rrjedhimisht, del të jetë një proces jo i rregullt dhe jo demokratik.
Nëse kjo e drejtë e opozitës shqiptare uzurpohet, atëherë vërtetë qytetarët dhe faktori ndërkombëtar duhet të shqetësohen seriozisht për transparencën dhe objektivitetin e këtij procesi, prandaj i ftojmë që të gjithë pa përjashtim, në përputhje me kompetencat e tyre, të angazhohen për të siguruar që opozita shqiptare të ketë përfaqësues përkatës në KSHZ.
Ambasadori Geer u njoftua edhe me objektivat e Lidhjes Europiane për Ndryshim, përkatësisht planet për periudhën e ardhshme. Theksuam se do të angazhohemi për një proces zgjedhor demokratik, për zgjerimin e koalicionit edhe me subjekte tjera, për ruajtjen e frymës europiane, por edhe për ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm”, thekson LEN.
Comments are closed for this post.