Me 261 viktima në 24 orët e fundit, numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza është rritur në 9.488. Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, Ashraf al-Qudra, në një konferencë për media në Spitalin “Al-Shifa”, informoi lidhur me humbjet e jetëve dhe të plagosurve në rajon.

Ai vuri në dukje se në sulmet izraelite që nga 7 tetori e deri më tani numri i të vrarëve në Gaza ka arritur në 9.488 persona, përfshirë 3.900 fëmijë, 2.509 gra si dhe janë plagosur të paktën 24 mijë persona.

Zëdhënësi Al-Qudra tërhoqi vëmendjen se 70 për qind të të vrarëve nga sulmet e përbëjnë fëmijët, gratë dhe të moshuarit.

Duke bërë të ditur se ka ende njerëz nën rrënojat e ndërtesave të shembura nga sulmet izraelite, Al-Qudra tha se janë bërë raportime për 2.200 persona të zhdukur, përfshirë 1.250 fëmijë.

Sulmet kundër institucioneve dhe punonjësve të shëndetësisë

Al-Qudra tha se vazhdojnë sulmet e Izraelit kundër sistemit shëndetësor, duke shtuar se deri më sot janë vrarë 150 punonjës të shëndetësisë dhe se 27 ambulanca kanë mbetur jashtë shërbimit.

“105 institucione shëndetësore janë vendosur nën objektivin e Izraelit. Për shkak të bombardimeve ose mungesës së karburantit kanë mbetur jashtë shërbimit 16 spitale dhe 32 qendra shëndetësore”, tha Al-Qudra.

Sipas tij, situata e të plagosurve të ardhur nëpër spitalet në Gaza është kritike dhe e komplikuar dhe se çdo ditë vdesin shumë të plagosur për shkak të mungesës së pajisjeve për trajtim ndaj të plagosurve.

Zyrtari palestinez tërhoqi vëmendjen se Izraeli pengon qëllimisht që të plagosurit në veri të rripit të Gazës dhe në qytetin e Gazës të evakuohen në jug të Gazës dhe që nga aty në pikën kufitare Rafah.

Duke rikujtuar se sulmi i kryer dje nga ushtria izraelite duke shënjestruar ambulancat në hyrje të spitalit “Al-Shifa” shkaktoi vdekjen e 13 personave dhe plagosjen e 26 të tjerëve, Al-Qudra tha: “Forcat pushtuese shënjestruan autokolonën e ambulancave para spitalit ‘Al-Shifa’ që shkonin drejt jugut për të mbërritur në pikën kufitare Rafah”.