Aplikimi i përbashkët që Federata Italiane dhe Federata Turke e Futbollit dorëzuan sot në UEFA për të organizuar së bashku EURO 2032, duket se lë organizimin e Euro2028 në duart e Britanisë së Madhe dhe Irlandës.
Edhe pse një vendim zyrtar për organizatorët për të dyja ngjarjet do të merret më 10 tetor, deklarata e UEFA-s pas bisedimeve me Turqinë dhe Italinë në mënyrë efektive do të thotë se do të mbetet vetëm një ofertë për vitin 2028.
Në Angli kanë qenë prej kohësh të sigurt për suksesin e pesë kombeve në ofertën e Ishujve Britanikë, që do të bënte të shihnim ndeshje të luheshin edhe në Skoci, Uells, Irlandë dhe Irlandën e Veriut.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin e ka vlerësuar po ashtu këtë ofertë, veçanërisht pasi pesë federatat në Britani dhe Irlandë u tërhoqën nga gara për të pritur Kupën e Botës 2030, duke lënë ofertën e përbashkët të Spanjës dhe Portugalisë për të mbajtur flamurin evropian në këtë garë.
Organi qeverisës evropian beson se oferta e Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës është një burim i garantuar të ardhurash që do ti jepte një hov të madh buxhetit, e më pas investimeve të UEFA-s.
Një zëdhënës i Konfederatës Evropiane konfirmoi se UEFA ka marrë një kërkesë nga Federata Italiane e Futbollit (FIGC) dhe Federata Turke e Futbollit (TFF) për të bashkuar ofertat e tyre individuale në një ofertë të përbashkët për të pritur UEFA Euro 2032.
Teksa Italia kishte paraqitur 10 stadiume për vitin 2032, nëntë prej tyre do të kishin nevojë për riparime të shtrenjta për të përmbushur kërkesat e UEFA-s. Bashkimi i forcave me Turqinë do të shpëtojë miliona të dy kombeve.
Comments are closed for this post.