Një robot android, EveR 6 u ngjit në podiumin e dirigjentit në Seul të premten për të drejtuar një performancë të orkestrës kombëtare të Koresë së Jugut. Roboti me dy krahë, i projektuar nga Instituti Korean i Teknologjisë Industriale, bëri debutimin e tij në Teatrin Kombëtar të Koresë, sipas CNN. Roboti, me një fytyrë humanoide, fillimisht u përkul para audiencës dhe filloi të tundte krahët për të kontrolluar tempin e shfaqjes live.

“Lëvizjet e një dirigjenti janë shumë të detajuara”, tha Choi Soo-yeoul, i cili drejtoi performancën e së premtes së bashku me robotin. “Roboti mundi të realizonte lëvizje të detajuara shumë më mirë nga sa e kisha imagjinuar.” EveR 6 në ekran së bashku me dirigjentin Choi Soo-yeoul Por “dobësia” e EveR 6, tha Choi, është se nuk mund të dëgjojë. Lee Young-ju, i cili studion muzikën tradicionale koreane, tha se roboti ishte i saktë, por mungonte “fryma”, ose aftësia për ta mbajtur orkestrën me energji dhe të bashkuar gjë që ishte thelbësore në performancë, sipas tij.

Roboti humanoid drejtoi tre nga pesë pjesët e së premtes në mbrëmje, duke përfshirë një të realizuar së bashku me Choi. “Ishte një recital që tregoi se robotët dhe njerëzit mund të bashkëjetojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin, në vend që njëri të zëvendësojë tjetrin”, tha Choi pas koncertit.