Transportuesit privatë në kuadër të transportit publik, sot prej orës 07:00 protestojnë me mbi 30 autobusë duke bllokuar tërësisht në të gjitha drejtimet udhëkryqin te “Mavrovasja”, gjegjësisht bulevardin “Goce Dellçev” dhe bulevardin “Krste Petkov Misirkov”.

Nga transportuesit privatë “Sloboda prevoz” thonë se nuk është përcaktuar kohëzgjatja e protestës sepse është planifikuar të zgjasë deri në plotësimin e kërkesave.

Nga atje bëjnë të ditur se nëse kërkesat e tyre nuk zgjidhen shpejt në ditët në vijim, bllokada do të shtrihet edhe në pjesët tjera të rrugëve në Shkup. Në kuadër të aktiviteteve për zgjidhjen e problemit aktual, sot “Sloboda prevoz” duhet të ketë takim me Bordin e NTP-së, ndërsa në seancën e Këshillit të Bashkisë së Shkupit do të marrin pjesë edhe përfaqësues të kompanive private.

Për shkak të protestës së paralajmëruar, SPB Shkup nga ora 07:00 do të marrë masa për regjim të veçantë të komunikacionit në dy bulevardet dhe rrugët përreth. MPB apelon qytetarët që të respektojnë urdhrat e punonjësve të policisë.

“Në takimin me Bordin e NTP-së do të kërkojmë informata lidhur me borxhin e NTP-Shkup dhe pse drejtori nuk i përmbush obligimet e kontratës, si dhe informata për të pavërtetat e paraqitura nga kryetari i komunës për gjoja krim me biletat e transportit dhe vjedhjet e parave”, theksuan dje në një deklaratë për media nga “Sloboda Prevez”.

Ndryshe, të premten, transportuesit privatë kanë marrë premtimin nga Këshilli i Bashkisë së Shkupit se do të bëjë gjithçka që është e mundur për të tejkaluar problemin me të cilin ballafaqohen transportuesit.

Kryetari i Shoqatës së Transportuesve Privatë “Sloboda prevoz”, Lenin Jovanovski, në një deklaratë për media të dhënë pas takimit me këshilltarët e qytetit të Shkupit të premten, tha se autobusët e transportuesve privatë nuk do të lëvizin deri në zgjidhjen e problemit.