“Viti i Ri nuk do të nisë me rrymë më të shtrenjtë, ndërsa nga 1 dhjetori pritet të ketë ulje të çmimeve të produkteve bazë”.

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, në një intervistë për DW, siguron se Qeveria ka një zgjidhje për të qetësuar krizën.

Ai paralajmëron forcimin e kontrolleve inspektuese që të mos ketë abuzime dhe pretendon se importi i energjisë elektrike gjatë kësaj periudhe ka qenë një opsion më i lirë se prodhimi vendas.

“Nuk do të ketë rritje drastike të çmimeve nga 1 janari, janë të mundshme edhe lëvizje në rënie. Gjithçka varet nga ajo që do të përcaktojë Komisioni Rregullator pasi të bëhen analizat dhe projeksionet e duhura dhe në përputhje me këtë, nëse është e nevojshme, do të merret një vendim i duhur nga Qeveria”.

“Sipas projeksioneve tona dhe bisedave që do të kemi në Këshillin Ekonomik, mund të them se kriza nuk do të jetë në kurriz të qytetarëve, amvisërive dhe konsumatorëve të vegjël. Çfarëdo që të ndodhë me prodhimin e EMV-së, çfarëdo që të ndodhë në sistemin energjetik, qytetarët nuk do të paguajnë kurrë më shumë se sa paguajnë aktualisht. Unë kam përllogaritjet se sa mund të arrijë dhe them se rritja nuk do të jetë në kurriz të qytetarëve”, tha mes tjerash Bekteshi.