Qeveria në seancën e sotme miratoi propozimin për investim strategjik në ski-qendrën Kodra e Diellit.

“Ky është një projekt i madh investimi që është rezultat i përpjekjeve tona për të mbrojtur vlerat natyrore në mënyrë që përveç mbrojtjes maksimale, të ofrojë kushte për zhvillim social-ekonomik dhe mundësi që bukuritë tona natyrore të jenë tërheqëse, evropiane dhe të tërheqin turistë nga e gjithë bota, për t’i sjellë të ardhura shtetit, ndërsa për qytetarët të hapin vende të reja pune dhe mundësi të reja ekonomike, thotë ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini.

Ai tregon se ka një ofertues serioz për zhvillimin e ski-qendrës Kodra e Diellit.

“Tani mund të ndajmë informacionin se kemi marrë një ofertë serioze nga kompania e njohur evropiane nga Tiroli i Jugut, “TehnoAlpin”, e cila është lider botëror në prodhimin dhe instalimin e sistemeve të borës artificiale, një ekspert i njohur në projektimin e fushave dhe terreneve të skijimit dhe me përvojë 30 vjeçare, 16 filiale në mbarë botën dhe 600 punonjës. Kjo kompani, pas hulumtimit ofroi një plan ambicioz për zhvillimin, inovacionin dhe rritjen e qendrës së skijimit Kodra e Diellit që karakterizohet nga modernizimi i zonës ekzistuese të skijimit dhe zgjerimi i saj territorial, përmirësimi i infrastrukturës parësore të nevojshme për zhvillimin e zonës, me përmirësimin sasior dhe cilësor të aktivitetit akomodues turistik, me përfshirjen e kapaciteteve të reja për përshtatjen e ofertës turistike me kërkesat aktuale të tregut turistik dhe zgjerimin e tij”, thotë Nuredini.

Bëhet fjalë për një partneritet strategjik me qendrën e skijimit Kodra e Diellit me një projekt ambicioz, vlera totale e të cilit është 186 milionë euro dhe që përfshin rinovimin e objekteve ekzistuese, instalimin e sistemit të borës artificiale, zgjerimin e zonës ekzistuese të skijimit me objekte dhe shtigje të reja, rinovim dhe zgjerimi i hoteleve, ndërtimi i objekteve të reja hotelierike, ndërtimi i parkingjeve të asfaltuara, shtigjeve për biçikleta dhe krijimi i aktiviteteve të reja rekreative, me të cilat kjo qendër do të ketë mundësinë të llogaritet ndër qendrat më moderne evropiane dimërore.

“Investimi duhet të realizohet duke filluar nga viti 2023 dhe do të realizohet në 6 faza investimi, e para prej të cilave kap shumën rreth 55 milionë euro”, theksoi Nuredini.