Nuk dihet nëse se masat e propozuara dje nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut (LSM) në Këshillin Ekonomik do të pranohen nga ana e Qeverisë. Edhe pse Dimovski nga LSM-ja tha se këto masa janë ekzistenciale për punëtorët dhe qytetarët e prekur nga kriza, ministrja e Punës dhe Politikës Sociale bëri thirrje për “durim”.
“Javën e ardhshme në qeveri do të sillen vendimet. Ende jemi në finalizim, në fazën finale të krijimit të masave, kështu që duroni, besoj që të hënën, të martën është festë, të mërkurën do të publikohen masat të cilat janë pjesë e vazhdimit të masave nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale”, deklaroi Jovanka Trençevska, ministre për Punë dhe Politikë Sociale.
Dje në mbledhjen e Këshillit Ekonomik, Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë i ka parashtruar këto kërkesa:
1. Pagat në shtet të ndjekin rritjen e inflacionit por edhe rritjen e shportës sindikale të bërë nga LSM.
2. LSM kërkon zbatimin konsekuent të dispozitave të kontratave kolektive për harmonizimin e pagave sipas rritjes së inflacionit, si dhe përcaktimin e një dispozite të tillë në marrëveshjen e përgjithshme kolektive për sektorin publik dhe në kontratën e përgjithshme kolektive për sektorin privat, i cili do të jetë për të gjithë punëtorët dhe punëdhënësit.
3. LSM kërkon zgjerimin e masave të mëparshme anti-krizë duke ngrirë marzhin për produktet e përcaktuara deri tani, si dhe shtimin e më shumë produkteve ushqimore.
4. LSM kërkon rivendosjen e masës për kartelë pagesore, për blerje të produkteve shtëpiake dhe pagesë të faturave të energjisë elektrike për një kategori të caktuar punëtorësh dhe qytetarësh që janë më të rrezikuar dhe më të prekur nga kriza ekonomike, gjegjësisht, kërkojmë që të shpërndahen kartela me vlerë për blerjen e ushqimit dhe pagesën e faturave të energjisë elektrike për një kategori të caktuar të familjeve.
5. LSM kërkon që të mundësohet transporti urban falas për në punë, duke qenë se një shpenzim i tillë për qytetarët që punojnë është i përditshëm dhe i pashmangshëm dhe padyshim që rëndon buxhetin e tyre.
Nga LSM nënvizojnë se nëse nuk pranohen këto masa, pasojat do të jenë të mëdha, përfshirë humbjen e fuqisë reale blerëse të punëtorëve, rrezik për vonesë të pagesës, mbyllje të vendeve të punës si dhe largime nga puna./Alsat/
Comments are closed for this post.