Presidenti i vendit Stevo Pendarovski sot do të presë Presidentin e Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, i cili do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Presidenti Mattarella do të pritet me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, më pas do të zhvillohet dhe takimi i presidentëve Pendarovski dhe Mattarella dhe takimi plenar i delegacioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Italisë.

Presidentët Pendarovski dhe Mattarella janë takuar deri më tani në Romë në nëntor 2019 dhe në maj 2021.

Siç njoftoi Ambasada Italiane, pas takimit me Pendarovskin, Mattarella do të shkojë në Kuvend, ku do të takohet me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.

Në kuadër të seancës formale, ai do t’i drejtohet deputetëve dhe përfaqësuesve civilë e fetarë në vend.

Reklama

Kryeministri Dimitar Kovaçevski pasdite do të takohet me presidentin Mattarella dhe delegacionin e tij.

Pas një takimi me përfaqësues të komunitetit italian në vend, kreu i shtetit do të largohet nga kryeqyteti në mbrëmje.

Mattarella mbrëmë ka mbërritur për vizitë zyrtare në vend, të cilin në aeroportin e Shkupit e ka pritur ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Sergio Mattarella u zgjodh President i Republikës Italiane në janar 2015 dhe u rizgjodh në atë post në shkurt 2022, me mbi 75 për qind të votave të Kuvendit, duke e bërë atë presidentin e dytë të zgjedhur me numrin më të madh të votave në historinë e Republikës Italiane.

“Vizita e Mattarellës në nivelin më të lartë konfirmon intensitetin e marrëdhënieve midis Italisë dhe Maqedonisë së Veriut, në fushën politike. Në vend po rritet edhe interesimi për kulturën dhe gjuhën italiane”, thekson ambasada italiane në Shkup.