Sindikata e Pavarur për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) sot fillon grevë në të gjitha institucionet e nivelit kombëtar në kopshte dhe në shkollat fillore dhe të mesme, që sipas njoftimeve do të zgjasë derisa të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.

Nga ana tjetër Ministritë e Arsimit, Shkencës dhe ajo e Punës dhe Politikës Sociale theksojnë se edhe në kushtet e grevës, shkollat dhe kopshtet duhet të kryejnë veprimtarinë e tyre – kujdesin dhe edukimin e fëmijëve dhe organizimin e procesit edukativ- arsimor.

Ndërkohë kryetari i SASHK Jakim Nedellkov, në konferencën e djeshme për media, tha se ata që në mënyrë solidare do të përfshihen në grevë tashmë kanë nënshkruar kërkesë për t’iu bashkëngjitur grevës për çka janë njoftuar edhe punëdhënësit.

Ai gjithashtu informoi se gjatë periudhës së fundit janë shpeshtuar presionet, më së shumti ndaj të punësuarve në kopshtet e fëmijëve, të cilët, siç theksoi, në baza të ndryshme detyrohen që nesër të jenë në vendet e tyre të punës dhe të funksionojnë dhe punojnë sikur të mos ketë grevë.

Ndryshe, greva e SASHK-ut vjen pasi në takimet e javës së kaluar me Qeverinë nuk u morën vesh për përmbushjen e kërkesave për rritje të pagave në sektorin e arsimit për 18,4 për qind. Kjo kërkesë është me qëllim të harmonizimit me rritjen e pagës minimale në shtet prej 15.199 në 18.000 denarë që tashmë hyri në fuqi.