Ministrat e Punëve të Jashtme, Teodora Gençovska dhe Bujar Osmani, u takuan sot në Sofje, më 24 janar, në vigjilje të seancës së dytë të përbashkët ndërmjet Qeverive të Republikës së Bullgarisë dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Siç njoftojnë nga MPJ, dy krydiplomatët shprehën kënaqësinë për intensifikimin e dialogut në javët e fundit, si dhe besimin se seanca e ardhshme mes Qeverive do të kontribuojë në kultivimin e dinamikës pozitive në marrëdhëniet dypalëshe.

“Ata e përshëndetën iniciativën për formimin e grupeve sektoriale të punës si mjet për përmirësimin e dialogut politik dhe instrument për identifikimin dhe shfrytëzimin e përfitimeve praktike të bashkëpunimit më aktiv midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut”.

“Gjatë takimit u shqyrtua gjendja aktuale e dialogut politik dhe marrëdhënieve dypalëshe, duke përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim të vitit 2017. U diskutua gjithashtu për përgjigjen e dorëzuar në dhjetor të viti 2021 nga Maqedonia e Veriut ndaj propozimeve nga Bullgaria për paketën e çështjeve politike të ashtuquajtur “5 + 1″”, thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Më tej shtohet se ministrja, Gençovska dhe ministri Osmani ndanë mendimin se kontaktet e drejtpërdrejta dhe intensive ndërmjet Ministrive të Punëve të Jashtme të të dyja vendeve janë rruga e duhur për të vazhduar përpjekjet për gjetjen e zgjidhjeve reciprokisht të pranueshme për çështjet e hapura.