Facebook, Instagram dhe WhatsApp pësuan një ndërprerje masive të hënën, duke prekur potencialisht dhjetëra miliona përdorues në të gjithë botën. Platformat sociale, të cilat janë në pronësi të Facebook, ndaluan së punuari pak para orës 5 pasdite dhe nuk mund të arrihen përmes uebit ose aplikacioneve përkatëse.

Të dhënat sugjerojnë se ky problem ka prekur llogaritë e përdoruesve në të gjithë botën. Një zëdhënës i kompanisë reagoi duke thënë: “Ne jemi të vetëdijshëm se disa njerëz kanë probleme me qasjen në aplikacione. Po punojmë për t’i kthyer gjërat në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur dhe kërkojmë falje për shqetësimin”, tha Andy Stone.

NetBlocks, i cili gjurmon ndërprerjet e internetit dhe ndikimin e tyre, vlerëson se dy orë plus ndërprerje tashmë i ka kushtuar ekonomisë globale 160 milion dollarë (117 milion paund), dhe ka ulur çmimin e aksioneve të Facebook me më shumë se pesë përqind. Shumë ekspertë spekulojnë se shkaku i ndërprerjes mund të jetë një gabim me DNS, ose sistemin e emrit të domain-it, për faqet e Facebook.

Çështjet e mëparshme me DNS kanë shkaktur ndërprerje në disa vende kryesore në fillim të këtij viti. Është e rrallë që proleme të tilla të prekin një gjigant të vetëm të teknologjisë siç është Facebook, ose që çështja të mbetet e pazgjidhur për një kohë të gjatë. Ky problem vjen vetëm pak orë pasi një ish punonjëse bëri deklaratë tronditëse për gjigandin teknologjik.

Frances Haugen tregon se si Facebook ka promovuar urrejtje, dhunë dhe keqinformim por kompania është përpjekur t’i fshehë provat. Ajo gjithashtu ka bashkëpunuar në mënyrë anonime me Wall Street Journal për të treguar se Facebook nuk ka marrë asnjë masë për të kufizuar postimet toksike. Ajo do të dëshmojë para një nënkomiteti të Senatit të martën.