Sot, më 1 shtator, zilja e shkollës e shënoi fillimin e vitit të ri shkollor. Ky vit shënohet me sfida, rreziqe dhe kërcënime të reja për sigurinë e fëmijëve, por pavarësisht kësaj nuk duhet t’i harrojmë rreziqet që i presin fëmijët në komunikacion.

Edhe më tutje mbetet me rëndësi pyetja se si fëmijët të arrijnë në oborrin e shkollës në kohë dhe në mënyrë të sigurt? Nuk duhet të harrojmë dhe të injorojmë faktin se aksidentet në komunikacion janë kërcënim serioz për jetën dhe shëndetin e fëmijëve.

Me fillimin e vitit shkollor, frekuenca e automjeteve dhe këmbësorëve në komunikacion rritet ndjeshëm. Prandaj, nevoja për kujdes shtesë nga ana e të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion rritet, veçanërisht kur lëvizin pranë shkollës ose kopshtit të fëmijëve.

Kjo është arsyeja pse KRSKRR-ja u bën thirrje shoferëve: “Bëhuni të kujdesshëm, kini kujdes për fëmijët në komunikacion dhe ngadalësojeni shpejtësinë pranë shkollave dhe kopshteve të fëmijëve. Kini kujdes se ku parkoni, sepse automjetet e parkuara në mënyrë të gabuar i bëjnë fëmijët të padukshëm në komunikacion. Mos harroni se siguria e fëmijëve në komunikacion është përgjegjësia e të rriturve!

Përveç kësaj, KRSKRR-ja u kujton prindërve se ata janë shembulli që fëmijët e pasqyrojnë çdo ditë. Shembulli personal që prindërit u japin fëmijëve në komunikacion duhet të jetë i pakushtëzuar dhe respektimi i plotë i rregullave të komunikacionit dhe kështu, në të vërtetë, në mënyrë të vazhdueshme t’i çojnë fëmijët të jenë të sigurt dhe të përgjegjshëm në komunikacion!

Të dhënat statistikore tregojnë se fëmijët shpesh pësojnë në aksidente komunikacioni si pasagjerë. Në këtë drejtim, KRSKRR-ja kujton obligimin ligjor, sipas të cilit, fëmijët nën 12 vjeç nuk duhet të transportohen në sediljen e përparme, si dhe obligimin për të përdorur rripin e sigurimit në të gjitha sediljet dhe sediljen e fëmijëve deri në 5 vjeç (edhe kur vozitja është e shkurtër). Aksidentet në komunikacion ndodhin kur nuk e prisni, kështu që është shumë e rëndësishme që ju dhe të dashurit tuaj të jeni gjithmonë të mbrojtur.

Përveç asaj që u tha më sipër, KRSKRR-ja thekson se fëmijët nën 10 vjeç nuk është e sigurt të lihen vetëm për të shkuar në shkollë. Nëse për shkaqe të caktuara vendosni ta lini fëmijën të shkojë vetëm në shkollë, përpiquni të jetë së paku në grup prej dy deri në tre fëmijë. Në situatë të tillë, çdo prind përgjegjës është i detyruar t’i tregojë dhe t’i përsërisë fëmijës rrugën më të sigurt nga shkolla deri në shtëpi, t’ia tregojë fëmijës rreziqet dhe kërcënimet potenciale në komunikacion dhe t’ia shpjegojë dhe përsërisë rregullat më të rëndësishme të komunikacionit.

KRSKRR-ja u uron të gjithë nxënësve një vit shkollor të suksesshëm dhe edhe një herë u kujton që të marrin pjesë në mënyrë të sigurt, të kujdesshme dhe të përgjegjshme në komunikacion. Mbroni fëmijët nga lëndimet dhe humbjet e jetëve në komunikacion!