Mbrëmë nga Kabuli është larguar ushtari i fundit amerikan. Aeroporti sot nuk funksionon. Pas 20 viteve, me këtë përfundoi lufta më e gjatë në historinë e SHBA-së. Talibanët festojnë. Pushteti është sërish në duart e tyre, por Uashingtoni nuk e përjashton mundësinë për bashkëpunim me qeverinë e re afgane.
“Jam këtu për ta shpallur fundin e tërheqjes nga Afganistani dhe fundin e misionit për evakuimin e shtetasve amerikanë, qytetarëve të vendeve të treta dhe grupeve të rrezikuara të afganëve. Avioni i fundit C-17 fluturoi nga aeroporti ndërkombëtarë “Hamid Karazi” më 30 gusht, këtë pasdite në ora 3:29 minuta”, tha Frank Mekenzi- gjeneral në ushtrinë e SHBA-së.
Kështu, SHBA-të përfunduan tërheqjen e forcave nga Afganistani pas plotë 20 vitesh, duke shënuar fundin e misionit më të gjatë ushtarak në historinë e shtetit amerikan.
Kjo është fotografia me ushtarin e fundit amerikan i cili dje u ngjit në avion. Bëhet fjalë për Kris Donahju, komandant i divizionit 82 të aviacionit amerikan. Disa minuta më vonë, talibanët filluan të festojnë në pistën e aeroportit.
Aeroporti tashmë ra në duart e tyre dhe me këtë u rrumbullakua marrja e sërishme e plotë e pushtetit nga talibanët, 17 ditë pasi hynë në Kabul.
Në pistë dhe rreth objektit të aeroportit shihen qindra automjete, transportues ushtarak madje edhe avionë e helikopterë të ushtrisë amerikane. Amerikanët shprehen se ato janë jashtë funksionit, kështu që, afganët s’mund t’i përdorin. Bëhet fjalë për 73 avionë, 70 autoblinda dhe 27 automjete Hamer.
Ajo që sot mund të vërehej ishte se, në vend të veshjes tradicionale dhe jelekëve, talibanët e armatosur ishin me uniformë moderne perëndimore dhe armë.
“Së pari, dua t’i uroj kombit që e fituam pavarësinë tonë dhe pas 20 viteve luftë dhe viktima, i detyruam amerikanët të largohen”, tha Zabihulla Muxhahid, zëdhënës i talebanëve.
Dhjetë ditët e fundit, SHBA-të dhe aleatët e tyre evakuuan më shumë se 122.000 persona nga Kabuli. Prej tyre, 73.500 shtetas afgan. Vlerësohet se në vend kanë mbetur rreth 300 amerikanë që nuk kanë arritur të evakuohen. Talibanët sot në mëngjes njoftuan se pasi institucionet e shtetit në Kabul sërish do të rindërtohen, secili që do të ketë dokumente valide dhe viza do të mund të udhëtojë pa pengesë ndërsa aeroporti do të vihet në funksion për disa ditë. Nga Uashingtoni mbrëmë porositën që nuk e mohojnë mundësinë që në të ardhmen të bashkëpunojnë me qeverinë talibane, por jo pa kushte.
“Talibanët kërkojnë që të njihen si legjitim në aspekt ndërkombëtarë dhe kërkojnë përkrahje. Porosia e jonë për këtë është kjo: çdo legjitmim dhe përkrahje duhet të meritohet”, theksoi Entoni Blinken- sekretar shtetëror i SHBA-së.
Në ndërkohë, ambasada amerikane në Kabul mbetet e zbrazët dhe e mbyllur.
Përndryshe, lufta në Afganistan filloi menjëherë pas lajmit goditës nëpër mediat e botës më 11 shtator 2001 nga Nju Jorku. Sulmet në Amerikë ishin shkak për të cilin Pentagoni dhe aleatët perëndimorë nis luftën kundër terrorizmit, duke sulmuar Afganistanin, që në atë kohë ishte nën pushtetin e talibanëve. Atje fshihej kreu i Al Kaedës dhe organizatori kryesor i sulmeve, Osama bin Laden.
Forcat aleate shpejtë e përmbysën regjimin taliban dhe vendosën pushtet që zgjati deri mbrëmë. Cilat ishin dobitë gjeostrategjike të luftës dhe nëse ato ekzistonin fare- edhe më tej është temë debati në botë.
Comments are closed for this post.