Republika e Çekisë ka kaluar në çerekfinale të Kampionatit Evropian 2020, pasi e mundi Holandën 2:0 në Budapest, duke e lënë edhe një herë jashtë evropianit kombëtaren e tulipanëve.
Tomas Hole dhe Patrick Schick shënuan nga një herë në pjesën e dytë ndaj një Holande që luajti me një lojtar më pak pothuajse tërë 45 minutat e dytë në Puskas Arena të dielën.
Në çerekfinale, Çekia do të përballet me Danimarkën më 3 korrik në Baku, e cila e mundi Uellsin të shtunën në duelin tjetër të 1/8 së finales.
Çekia është treguar një armik i madh i Holandës në Evropian, pasi më 2004 e mposhti 3:2 me rikthim edhe pse po humbiste 2:0 në një ndeshje të fazës grupore, para se t’ia mohonte kualifikimin në Euro 2016, duke e mposhtur në dy ndeshje kualifikuese.
Pjesa e parë ishte e qetë, pasi të dy ekipet nuk rrezikuan aspak dhe nuk krijuan raste shënimi.
Fillimi i pjesës së dytë e shënoi edhe pikën e kthesës në këtë takim.
Donyell Malen i iku mbrojtjes çeke dhe u vu përballë portierit Tomas Vaclik, i cili ia mori topin duke mos e lejuar ta kryejë driblimin dhe të shënojë në minutën e 52-të.
Malen mund të jetë duke e mbajtur kokën tani për lëshimin e këtij rasti, sepse pas këtij rasti të rrallë, Çekia doli në sulm dhe fitoi goditje dënimi e cila i kushtoi mbrojtësit Matthijs de Ligt me përjashtim nga loja direkt me karton të kuq.
Gjyqtari Sergey Karasev e ndëshkoi vetëm me karton të verdhë mbrojtësin e Juventusit, para se të këshillohej nga dhoma e VAR-it për ta rishikuar incidentin.
Sergey e ndryshoi mendjen pasi e rishikoi incidentin dhe e përjashtoi nga loja De Ligtin.
Kjo i dha përparësi të madhe ekipit çek, i cili e shfrytëzoi çdo mundësi në vazhdim.
Nuk vonoi shumë dhe Moles e theu akullin duke shënuar me kokë pas një rivënie nga këndi në minutën e 68-të, për ta kaluar Çekinë në epërsi. Dhjetë minuta para fund Schick e fundosi Holandën duke e dyfishuar epërsinë.
Ai e futi topin në rrjetë nga afërsia pas një depërtimi dhe asistimi të shkëlqyer të Holes, që i shfrytëzoi hapësirat e mëdha në mbrojtjen holandeze.
Çekia do të përballet me Danimarkën më 3 korrik në Baku në çerekfinalen e dytë në Euro 2020./G
Comments are closed for this post.