Nëntë zyrtarë policor janë arrestuar sot paradite në një aksion policor, mëson Alsat nga burime brenda MPB-së. Ata ishin pjesë e zingjirit për falsifikimin e pasaportave dhe dokumenteve personale. Nga policia konfirmojnë se në rrjedh është aksioni dhe se detaje tjera do të japin gjatë ditës. Aferën “Mafia” dje në një brifing me gazetarët e shpalosi VMRO-DPMNE-ja e cila publikoi edhe dokumente se si disa persona të dyshuar për krim të organizuar në rajon kanë marr dokumente për identifikim dhe pasaporta nga Republika e Maqedonisë së Veriut. Sipas dosjes së tyre, njëri nga bosët e mafies turke, Sedat Peker posedon pasaportë të Republikës së Maqedonisë dhe letërnjoftim të lëshuar nga stacioni policor në Draçevë. Sipas VMRO-DPMNE-së, ai me identitet të rrejshëm, sipas dokumenteve si Xhadin Amedovski, me adresë në Shkup, ka qëndruar dhe vepruar në mënyrë joligjore për një kohë të gjatë në vendin tonë, deri në arrestimin e tij më 18 janar, pas çka u ekstradua në Kosovë, sepse kishte edhe shtetësi të Kosovës.
Burime nga policia thonë se të dyshuarit më shumë se një vit janë ndjekur me masa të posaçme hetuese.
Alsat mëson jozyrtarisht se në aksionin policor që po zhvillohet rreth pajisjes me pasaporta të “narko-bosëve” të Ballkanit janë arrestuar 9 persona.
Ndryshe gjatë ditës së djeshme VMRO DPMNE-ja akuzon pushtetin se u ka dhënë dokumente të udhëtimit narko bosëve të Ballkanit. Nga partia e Mickovskit thonë se bëhet fjalë për një grup të organizuar kriminal që ka ndërhyrë edhe në organet e shtetit duke nxjerr dokumente me identitete të rreme të së paku 200 personave nga nëntoka e rajonit.
Comments are closed for this post.