Familjarët e të dënuarve për logjistikë të grupit të Kumanovës sot në një konferencë për media akuzuan drejtorin e burgut të Shutkës se po shkel ligjin dhe rregulloren e burgut.

Familjarët thanë se drejtori i burgut ua pamundëson të dënuarve të grupit shfrytëzimin e fundjavës së lirë, që sipas familjarëve u takon me ligj.

“Drejtori për dëshira dhe kapriço të veta, ua mohon të burgosurve Arsim Barjamit, Musadik Pajazitit dhe Elham Arifit të drejtën e trajtimit – fundjavë e lirë. Që të tre të burgosurit kanë respektuar të gjitha procedurat administrative për të kërkuar këtë të drejtë, edhe pse të gjitha komisionet që janë në kuadër të Burgut e kanë miratuar shfrytëzimin e kësaj të drejte, sërish drejtori e ka refuzuar një gjë të tillë”, tha familjari Bujamin Selmani.

Ai ka njoftuar se kjo e drejtë ka hyrë në fuqi që nga viti 2020, dhe në Rregulloren për punë të Burgut parashihet, se nëse i burgosuri vuan një vit më pak se gjysma e dënimit, i takon kjo e drejtë.

Ai i ka bërë thirrje Drejtorisë së Burgut të Shuto Orizares, Ministrisë së Drejtësisë dhe Avoaktit të Popullit të reagojnë ndaj rastit.