Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur një ditë më parë që finalja e Conference League të zhvillohet në Tiranë, në “Air Albania Stadium”. FSHF e konsideron një ngjarje të madhe, pasi do të jetë edhe sezoni i parë i këtij kompeticioni europian për klubet, që është i treti për nga rëndësia pas Champions League dhe Europa League.
FSHF kishte hequr dorë nga gara për finalen e Superkupës së Europës, vetëm që të ishte favorit për Conference League. Llogaritë dolën sipas parashikimeve dhe në Greqi mendojnë se Shqipërisë ua dhuruan finalen. Në këtë përfundim ka arritur zëvendësministri i Kulturës dhe Sporteve, Lefteris Avgenakis.
Në fakt ai sulmon Komitetin Ekzekutiv të Federatës Greke të Futbollit, që në momentet e fundit hoqi nga gara “Pankritio stadium” të Kretës dhe tentoi të konkurronte me “Agia Sofia”, stadiumin e ri të AEK që nuk kishte përfunduar.
Avgenakis, në një postim të bërë në “Twitter” shkruan: “Sa krenar mund të ndihen disa nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Greke të Futbollit? Ata tërhoqën me justifikime qesharake kandidaturën e ‘Pankritio stadium’, që ishte favoriti i padiskutueshëm, duke ia dhënë përfundimisht finalen e Conference League Shqipërisë”.
Comments are closed for this post.