Në Dibër, në kuadër të Spitalit të Përgjithshëm, dje u hap Qendra për Kovid-19. Drejtori i spitalit, Baki Alili, deklaroi se reparti intern tanimë është adaptuar në Qendër për trajtimin shëndetësor të personave pozitiv në Kovid-19. Sipas tij, Qendra Kovid-19 ka një hyrje të veçantë dhe në të janë të angazhuar tetë mjekë, tetë motra medicinale dhe personel tjetër teknik.
“Duke marrë parasysh faktin se ka një rritje të numrit të të prekurve nga Kovid-19 në Dibër dhe Qendër Zhupë, hapja e kësaj qendre ka qenë një nevojë e patjetërsueshme. Hapësirat e deritashme në spital nuk kanë qenë të mjaftueshme për marrjen e terapive për të sëmurët me Kovid-19, dhe vlerësuam se reparti në fjalë me një adaptim plotëson kushtet dhe jep një mundësi të madhe për trajtimin e të sëmurëve”, thotë drejtori i spitalit, Baki Alili. Edhe deri tani të infektuarit nga Kovid-19 që janë në shërim shtëpiak, merrnin tretmanin e nevojshëm në spital, por tani ka edhe raste më të rënda të cilët janë stacionuar në këtë repart, tregon ai dhe shton se hapja e Qendrës ka të bëjë edhe me faktin se në Klinikën e Shkupit, kapacitetet tashmë janë të mbushura me pacientë .
Hapja e Qendrës për të sëmurët me Kovid-19 në Dibër ka rëndësi të madhe për personat pozitiv me koronavirus, vlerësoi epidemiologu dibran Mentor Mela . Ai theksoi se në Dibër dhe Qendër Zhupë ka një rritje të numrit të sëmurëve me Kovid-19 dhe ka patur nevojë për një qendër konkrete për Kovid-19. Mbi 80 persona aktualisht janë pozitiv në të dyja komunat nga të cilët – vetëm javën e fundit pozitiv kanë dalë mbi 40 qytetarë. Numri i përgjithshëm i të sëmurëve me Kovid nga 26 shkurti, kur për herë të parë u paraqit në Qendër Zhupë, me koronavirus janë 382 persona, kurse 18 persona humbën betejën. (koha.mk)
Comments are closed for this post.