Më së largu sot, Ministria e Arsimit do të marrë vendim përfundimtar për fillimin e vitit të ri shkollor. Vendimi pritet të merret në bazë të propozimeve që janë dhënë nga MASH-i dhe drejtoritë komunale të Arsimit.
Sipas propozimeve, më 14 shtator është paraparë të fillojnë klasat 0 deri në 6 dhe 10. Për klasat 4 dhe 5 u është lënë drejtorive komunale të vendosin se në çfarë forme do ta zhvillojnë mësimin, në shkolla apo nga distanca.
Ndërkaq, në fazën e dytë më 21 shtator, mësimin do ta fillojnë klasat 7 deri në 12 në formë të kombinuar, dy ditë në shkollë dhe tri ditë nga distanca.
Ministri Ramë Likaj ka deklaruar se në bazë të informacioneve nga terreni, shumica e shkollave i kanë bërë përgatitjet e duhura për fillimin e mësimit.
Por, disa shkolla të Prishtinës, që kanë numër të madh të nxënësve, e kanë caktuar vetë se me cilat klasë do të nisin fazën e parë të mësimit. Në shkollën “Faik Konica”, që ka afro 1.500 nxënës të hënën fillojnë në shkolla vetëm parafillorët, klasa e parë, e dytë, e tretë dhe e gjashtë.
E në shkollën “Ismail Qemali”, që ka afro 3 mijë nxënës, të hënën mësimin në shkolla e fillojnë vetëm nxënësit e klasës së parë, të dytë dhe të gjashtë, kurse të tjerët online.
Viti i ri shkollor është dashur të niste më 1 shtator, por u shty për shkak se institucionet shkollore nuk i kishin bërë përgatitjet e duhura.
Comments are closed for this post.