Fushata parazgjedhore përfundon nesër në orën 24 kur edhe zyrtarisht fillon heshtja parazgjedhore. Edhe sot e nesër partitë politike dhe koalicionet pjesëmarrëse në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbajnë takime me qytetarët, në të cilat ua prezantojnë programet e tyre zgjedhore me të cilat duan ta fitojnë besimin e tyre më 15 korrik. Të gjithë para qytetarëve premtojnë drejtësi e cila do të funksionojë në mënyrë transparente dhe joselektive, zhvillim të ekonomisë, standard më të mirë të jetës për të gjithë.
Mbrëmë nga Tetova lideri i BDI-së Ali Ahmeti porositi se si parti i kanë ndihmuar shtetit të niset në rrugë të drejtë dhe se tani hapin kapituj të ri.
“Ne kemi dinjitet dhe me të gjitha kapitujt që i kemi hapur në plan ekonomik, me hyrjen në NATO, integrimet evropiane. Por unë nuk dua që të harrohet ky ofendim të cilin e dëgjova sot dhe u trondita. Ofendimi për ‘pesë para’ dhemb shumë, por kemi kaluar shumë, UDBA dhe udbashë dhe shumë padrejtësi, ne nuk kemi prej se të frikësohemi kemi orientim dhe qëllim dhe dëshirojmë ta realizojmë. Për këtë do t’iu tregojmë më 15 korrik dhe le ta shohim se kush jemi ne”, theksoi Ahmeti.
Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa përfaqësuesit e të cilave mbrëmë nën moton “Tash është koha” mbajtën takim me qytetarët e Gostivarit prej ku dërguan porosi se do të përpiqen për një shoqëri për të gjithë dhe të drejta të barabarta dhe mundësi për të gjithë.
Karvani i koalicionit “Mundemi” sot do t’i vizitojë komunat Kavadar dhe Jegunovce, ndërsa përfaqësuesit e Koalicionit të udhëhequr nga VMRO-DPMNE do t’i vizitojnë komunat Rankovce, Kratovë dhe Kriva Pallankë.
Sipas paralajmërimeve, Lidhja Demokratike do ta mbajë Kongresin e VI-të, në të cilin do të diskutohet për prioritetet e Lidhjes Demokratike në periudhën e ardhshme katër vjeçare, si dhe për aktivitetet parazgjedhore, ndërsa në Ohër Lidhja Demokratike Qytetare – LDQ organizon tribunë “Bisedë nën dru”.
Lideri i LSDM-së Zoran Zaev mbrëmë në tubimin parazgjedhor të koalicionit “Mundemi” në Shkup porositi se ofrojnë rrugë të drejtë për shtetin, e cila nënkupton BE dhe NATO, nënkupton kujdes për të gjithë, nënkupton mbrojtje nga KOVID-19, rritje ekonomike dhe më shumë para për secilin.
“Shkupi i lirë është i bukur e cila beson se shkojmë në rrugën e drejtë ,Shkupi e di se jemi në rrugën e drejtë për të gjithë, kujdes për të gjithë të cilin e treguam në vepër në tre vitet e fundit. Kujdes për më të varfërit, kujdes për bashkësitë më të vogla etnike, kujdes për gratë, kujdes për personat me nevoja të veçanta, kujdes të barabartë për të gjithë, kryeqyteti ynë Shkupi e di se është në rrugën e vërtetë sepse kemi ekonomi të vërtetë zhvillimore të Maqedonisë, sepse treguam se kur zgjidhen çështjet më të mëdha mund të kemi kujdes për ekonominë tonë”, tha Zaev.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski mbrëmë nga Dellçeva tha se më 15 korrik vendosim se në çfarë Maqedonie dëshirojmë të jetojmë, Maqedoni të nënshtruar ose Maqedoni krenare. Për këtë porositi, Mickovski, të votojmë për numrin 14 dhe për “Ripërtëritje të Maqedonisë”.
Comments are closed for this post.