Gjatë ditës së djeshme në emisionin 360 në Alsat, mjekja Milena Stevanoviq duke folur për vdekshmërinë te pacientët sqaroi se punonjësit në klinikë të cilët punojnë me pacientët e infektuar me Covid-19 po ballafaqohen me vdekshmëri te pacientët që kanë pasur sëmundje kronike, por edhe persona të rinj pa paraqitur sëmundje kronike.
“Ata janë pacientë me sëmundje kronike në mushkëri, në zemër, pacientët që kanë tension të lartë, pacientë me diabet e posaçërisht ata që nuk janë të mirë-rregulluar dhe kanë komplikime nga sëmundjet kronike. Edhe obeziteti, përkatësisht trashësia, është e rëndësishme për shkak se ajo ‘hap dyert’ për sëmundje tjera kronike. Trashësia është problem shëndetësor që kontribuon dhe hap mundësi për sëmundje të tjera”, tha mjekja Stevanoviq, njofton Telegrafi Maqedoni.
Ajo shtoi se përkundër të gjitha përpjekjeve të punonjësve shëndetësor, edhe persona të rinj pa paraqitur sëmundje kronike kanë humbur betejën me luftën me coronavirusin.
“Nuk është i vogël numri i të sëmurëve kronikë që i kemi shëruar. Edhe pacientë shumë të moshuar, edhe obest, edhe pacientë pa një veshkë dhe pacientë me sëmundje tjera serioze. Por nga ana tjetër, njerëz të rinj, pa sëmundje kronike të paraqitur, për fat të keq humbën betejën me sëmundjen. Ju bëj apel që secili prej nesh ta kuptojë seriozitetin e sëmundjes dhe secili t’u përmbahet atyre që ne vazhdimisht i flasim, të respektohen masat, me qëllim që ta mbrojnë shëndetin e tyre dhe të familjes së tyre”, tha Stevanoviq duke theksuar se këtu do t’i përfshinte edhe fëmijët të cilët gjithashtu infektohen dhe mund ta bartin infeksionin dhe se nga përvojat e deritashme fëmijët shumë shpejt shërohen nga virusi.
Mjeku Marjan Balovski, nga spitali ‘8 shtatori’ potencoi se virusi nuk kursen askënd.
“Padyshim personat që kanë sëmundje janë më të rrezikuar, por definitivisht virusi nuk kursen askënd. Un këtë mund ta vërtetoj nga përvoja ime praktike ku kemi pasur persona me gjendje të rëndë dhe sëmundje kronike që kemi arritur ta shpëtojmë por edhe persona të cilët krejtësisht të shëndoshë kanë humbur jetën”, tha Balovski.
Ai përsëriti se ndihma më e madhe e qytetarëve për punonjësit shëndetësor është respektimi i masave për mbrojtje, maska, largësia trupore, higjiena dhe dezinfektimi i duarve.
Comments are closed for this post.