Gjatë ditës do të mbahen disa takime bilaterale me përfaqësuesit e grupeve të deputetëve, ku do të shqyrtohen amandamentet e tyre për Ligjin për Prokurorinë publike. Qëllimi është sigurim i konsensusit dhe shumicës së dy të tretave, dhe nëse sigurohet, ligji do të dërgohet në procedurë në seancën e nesërme në Qeveri, informuan për MIA-n nga Ministria e Drejtësisë.

Tani për tani nuk ka konfirmim nëse sot është i mundur edhe takim i grupeve të punës të pushtetit dhe opozitës në përbërje më të gjerë, në tentim që të harmonizohet versioni i propozim-ligjit, i cili më vonë do të parashtrohet në Kuvend.

Pas takimit të fundit të grupit të punës të premten, disa grupe të deputetëve këtë fundjavë kanë parashtruar amandamente për ligjin për prokurori publike, e disa kanë kërkuar kohë shtesë që t’i formulojnë për shkak të obligimeve që i kanë pasur me Zhan Mone dialogun. Për shkak të besimit të procesit, nga Ministria e Drejtësisë thanë se nuk do të zbulojnë se cilat grupe të deputetëve kanë parashtruar amandamente.

Për VMRO-DPMNE-në është e pranueshme zgjidhja ligjore që do ta përpunojnë dhe do të dalë nga vetë opinioni ekspert, i cili ishte përfshirë në debatin publik për ligjin për prokurori publike, thotë lideri i partisë opozitare, Hristian Mickoski.

“Nevojitet zgjidhje cilësore ligjore, e jo e tillë të cilën pushteti e shtyn në derë të vogël vetëm një javë e gjysmë para shpërbërjes së Parlamentit. Për atë, për VMRO-DPMNE-në, me qëllim që të mos jetë rob i suetës së disa ministrave dhe druarjes së Zaevit nga përgjegjësia, është e pranueshme zgjidhja ligjore, të cilën do ta përpunojnë dhe e cila do të dalë nga vetë opinioni ekspert, i cili ishte përfshirë në debatin publik për ligjin për prokurori publike”, thotë Mickoski në deklaratën e shkruar të dërguar nga Qendra për komunikime e VMRO-DPMNE-së.

Mickoski thotë të mos bëhet zgjidhje ligjore për mbrojtje të interesave partiake të individëve, por zgjidhje e propozuar nga ekspertët, e cila do të pranohet për Kuvendin.

Ish kryeministri dhe lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, megjithatë thotë se Ligji për prokurori publike, protokolli për NATO dhe Ligji për mbrojtje, janë pjesë e agjendës që u kontraktua nga të gjitha partitë, e cila duhet të përfundojë deri në shpërbërjen e Kuvendit më 12 shkurt. Nëse dikush e shkel atë, atëherë shpërbërja e Parlamentit dhe shpallja e zgjedhjeve nuk do të ndodhë, deklaroi sot lideri i LSDM-së Zoran Zaev pas dëshmimit në gjykatën penale për lëndën “Monstra”.

I pyetur nëse është i mundur anulimi i zgjedhjeve nëse nuk miratohet Ligji për prokurori publike, Zaev tha jo, por theksoi se është shumë me rëndësi që e kontraktuara të votohet në Parlament.

“Kur të votohet në Parlament, mund të miratohet ose mos të miratohet. Opsion tjetër nuk ka, por më 12 shkurt duhet të shpërbëhet. Nëse ka tentim nga opozita që ta minojë, ta bllokojë ose në çfarëdo mënyrë tjetër miratimin e tij, respektivisht votimin, atëherë normalisht se Parlamenti nuk do të shpërbëhet derisa nuk përfundon procesi i prononcimit për Ligjin për prokurori publike, si dhe për protokollin për NATO ose Ligjin për mbrojtje e ngjashëm”, tha Zaev.

Ai potencoi se një pjesë e agjendës për të cilën kanë arritur marrëveshje të gjithë, është se këto zgjidhje ligjore deri në shpalljen e zgjedhjeve dhe shpërbërjen e parlamentit do të votohen.

“Nëse dikush e shkel atë, atëherë normalisht se shpërbërja e Parlamentit dhe shpallja e zgjedhjeve nuk do të ndodhë. Më 12 prill janë zgjedhjet, Mirë është që më 12 shkurt, siç tha Talat Xhaferi, kjo të ndodh. Zgjedhjet shpallen dhe Parlamenti shpërbëhet prej 45 deri 60 ditë. Do të thotë kemi 15 ditë për shpërbërjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve, siç ligji dhe Kushtetuta këtë e mundësojnë, por unë besoj se gjithçka do të përfundojë më 12 shkurt”, deklaroi Zaev.