Një sëmundje ngjitëse, e cila mund ta dëmtojë trurin dhe që përhapet te njerëzit përmes pickimit të rriqrave, është gjetur në rriqra për herë të parë në Britani të Madhe.

Instituti i Shëndetit Publik në Angli i ka konfirmuar rastet e virusit encephalitis në dy pjesë të vendit, në malin “Thetford” dhe në kufirin administrative mes rajoneve Hamshire dhe Dorset. Megjithatë, autoritetet shëndetësore kanë thënë se rreziku për njerëz është ende shumë i vogël.

Më të rrezikuar nga ky virus janë njerëzit që jetojnë në zona rurale dhe që dalin për të ecur në natyrë.

Ky virus tashmë është përhapur në disa vende të Evropës, përfshirë Skandinavinë, dhe në disa pjesë të Azisë.

Nuk është e qartë se si ka arritur ky virus në Britani, por ekspertët thonë se rriqrat e infektuar mund të kenë ardhur në shtetin ishullor përmes zogjve shtegtarë.

Numri i rriqrave në Mbretërinë e Bashkuar është duke u rritur, kryesisht për shkak të shtimit të drerëve. Pickimi nga rriqrat nuk do të thotë domosdo që ndodh infektimi.

Sidoqoftë, mjekët i kanë këshilluar njerëzit që të mbrohen nga ky virus përmes veshjes së rrobave të gjata, largimin nga kontaktet me kafshët e egra dhe pastrimin e vendit të pickimit me ujë dhe sapun, shkruan “BBC”.