Ministria e Arsimit do të japë leje për hapjen e paraleles në gjuhën shqipe në Shkollën Fillore“ Njegosh” në Idrizovë, në të cilën nxënësve pas klasës së pestë deri në klasën e nëntë, u mohohet e drejta që mësimet t’i ndjekin në gjuhën shqipe. Alsat informoi për problemin në fjalë dy ditë më parë, kur prindërit e fëmijëve vendosën që të bojkotojnë mësimin deri në zgjidhjen e problemit. Lidhur me këtë, sot ministri i arsimit, Arbër Ademi, realizoi takim me kryetarin e Komunës së Gazi Babës, Boris Georgievski, drejtorin e shkollës dhe përfaqësues të prindërve. Ministri Ademi tha se nesër do të fillojë procedura për dhënien e pëlqimit për hapjen e paraleles dhe e njëjta, sipas tij, do të përfundojë brenda kësaj jave.
Sigurisht se gjatë këtij viti shkollor. Këto procedura për të cilat ne po flasim dhe për të cilën u shpreh gatishmëri dhe vullnet do të duhet të përfundojnë Brenda kësaj jave tërësisht.”
Të nesërmen do të duhet të dorëzohet një kërkesa e tillë nga shkolla deri tek kryetari i komunës, e më pas të përcillet ajo deri në Ministri të Arsimit, për konfirmim final dhe për formim të paraleles- deklaroi Arbër Ademi- ministër i Arsimit.
Kryetari i Komunës së Gazi Babës, i cili deri tani nuk ishte prononcuar për këtë rast me arsyetimin se nuk është i informuar detajisht, edhe pse ky problem ekziston tashme rreth 13 vjet, sot tha se deri tani askush nuk ka dorëzuar kërkesë zyrtare. Megjithatë sa i takon kohës së nevojshme për formimin e paraleles, Georgievski tregohet më i rezervuar, pa cekur ndonjë afat.
Sot për herë të parë flasim për kërkesa të tilla. Nga sot fillojmë me zgjidhjen e këtij problem. Në të njëjtën kohë duhet të plotësohen edhe kushtet kadrovike, të sigurohen hapësirat dhe financat. Deri tek unë as nuk ka pasur kërkesë- tha Boris Georgievski- Kryetar i Komunës së Gazi Babës.
Me një qasje krejt tjetër sot në takim mori pjesë edhe drejtori i shkollës “Njegosh”, Nikolla Nastevski, i cili të hënën nuk pranoi të flasë për këtë çështje, madje me sjellje aspak profesionale duke angazhuar edhe sigurimin e shkollës përzuri gazetarët nga zyra e tij. Sot edhe pse më miqësor, përsëri nuk e pa të arsyeshme të jepte deklaratë.
Nga hapja e paraleles shqipe përfitojnë jo vetëm fëmijët e fshatit Jurumler, por edhe dhjetëra fëmijë të fshatrave përreth./alsat
Comments are closed for this post.