Barcelona ka pasur probleme me sulmuesit, pasi tre kryesorët Lionel Messi, Luis Suarez dhe Ousmane Dembele janë të lënduar.
Kësisoj në ndeshjen ndaj Betis, debutuan dy talente të rinj në La Liga me fanellën e katalunasve.
Carles Perez ishte titullar dhe shënoi gol në fitoren 5-2 ndaj Real Betis, ndërsa në 12 minutat e fundit të ndeshjes u inkuadrua në lojë 16 vjeçari Anssumane Fati.
Sulmuesi anësor nga Guinea – Bissau është futur në histori të Barcelonës, pasi debutimi i tij në La Liga erdhi me 16 vite, nëntë muaj e 25 ditë.
Por për të ardhur deri te debutimi me Barcelonën, Anssumane Fati u desh të kërkoj leje nga prindërit e tij për të luajtur.
16-vjeçarit iu nevojit leja nga prindërit për shkak të rregullave të La Ligas, që lojtarët e mitur nuk lejohet të luajnë në mbrëmje pa pëlqimin e një prindi.
Fati për rreth 15 minuta sa qëndroi në fushën e Camp Nou bëri paraqitje të mirë duke pasur disa depërtime mjaftë të mira.
Talenti nga Guinea-Bissau tani është lojtari i dytë më i ri në histori të Barcelonës që ka luajtur në La Liga.
I pari mbetet Vicente Martinez që kishte debutuar me fanellën e Barcelonës në vitin 1941 me 16 vite, nëntë muaj e shtatë ditë.
Martinez në atë kohë kishte debutuar në ‘El Clasico’ në humbjen e Barcelonës 4-3 nga Real Madridi.
E për debutimin e tij dhe të Carles Perez ka shkruar edhe Lionel Messi duke i përgëzuar dy talentet e La Massias.
“Paraqitje e shkëlqyer nga të gjithë. Tri pikët e para në La Liga dhe me të vërtetë i lumtur për të parë lojtarët e akademisë, duke bërë realitet ëndrrën e tyre. Ata luajtën lojën e parë zyrtare në Camp Nou dhe shënoi”, shkroi Messi.
Comments are closed for this post.