Sot është dita e lindjes së humanistes botërore Nënë Tereza. Ajo është një nga figurat me origjinë shqiptare në të gjithë botën për veprën e saj humaniste. Anjezë Gonxhe Bojaxhiu e njohur si Nënë Tereza lindi në Shkup më 26 Gusht 1910. Në vitin 1979 ajo u shpërblye me çmimin Nobel për Paqen ndërsa në 19 Tetor 2003 ajo u shenjtërua nga Vatikani.
“Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në Botë. Atdheu im është një vend i vogël me emrin Shqipëri” tha ajo në ceremoninë e marrjes së çmimit Nobel kur u pyet për origjinën e saj.
Nënë Tereza e kaloi pjesën më të madhe të jetës së saj në Kalkuta të Indisë duke ju dedikuar tërësisht çështjes së bamirësisë dhe duke u kujdesur për njerëzit e varfër e të sëmurë. Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh, kishte birësuar 160 fëmijë ilegjitimë e bonjakë.
Nënë Tereza tha “Me gjak, unë jam Shqiptare. Me shtetësi, jam Indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit.”
Ajo nuk u tremb nga kritikat për qëndrimin e saj kundër abortit dhe divorcit duke thënë, “ Pavarësisht kush thotë çfarë, ti duhet ta pranosh atë me një buzëqeshje dhe të bësh punën tënde.”
Nënë Tereza ndërroi jetë në 5 Shtator 1997 në Kalkuta të Indisë.
Comments are closed for this post.